KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » LËV: GJERMANIA NUK E VUAN TRAUMËN ITALIANE
euro 2016, gjermani itali, lev

LËV: GJERMANIA NUK E VUAN TRAUMËN ITALIANE

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv këmbëngul se kampionët në fuqi të botës nuk kanë asnjëlloj kompleksi inferioriteti në prag të sfidës çerekfinale të Euro 2016-ës me Italinë. Gjermanët do të mundohen të prishin mallkimin e përballjeve me Italinë, teksa në 8 raste të ndeshjeve në fazën finale të një veprimtarie madhore, janë axurrët që kanë triumfuar.

“Ne nuk kemi asnjëlloj traume italiane dhe nuk kemi pse t’u trembemi atyre, por vetëm të besojmë në aftësitë tonë. Kjo çështja e bilancit të deritanishëm që ju po më thoni për mua është si një kafe e ftohtë. Do të pëlqente më tepër një ekspreso e nxehtë dhe do ta shohim të shtunën se çfarë shije do të ketë.”

Duke folur në bazën stërvitore të skuadrës në Evian, Lëvi pohoi se dy humbjet e tij përballë Italisë, si ndihmëstrajner më 2006-n dhe trajner në 2012-ën, i kishin shërbyer si një mësim i vyer.

“Diferencën do ta bëjë forma e gjithësecilit në ditën e ndeshjes, por s’ka asnjë dyshim se do të jetë një ndeshje e luftuar fort dhe e hapur sa i përket rezultatit. Kjo është një Itali mjaft më e mirë sesa në 2008-ën apo 2010-ën, me lojtarë të fortë mendërisht dhe me aftësinë për të kaluar shpejt nga mbrojtja në sulm”.

Takim çerekfinal midis Gjermanisë dhe Italisë luhet të shtunën, duke nisur nga ora 21:00.