KRYEFAQJA » LAJME » “Lëvizja për Universitet”, proteston ndaj ligjit për arsimin e lartë
“Lëvizja për Universitet”, proteston ndaj ligjit për arsimin e lartë

“Lëvizja për Universitet”, proteston ndaj ligjit për arsimin e lartë

Studentët shqiptarë të mbledhur në grupimin “Lëvizja për Universitet”, duket se janë të vendosur në kundërshtimin e tyre ndaj ligjit për arsimin e lartë. Me pankarta në duar, studentët, këtë rradhë më të shumtë në numër, kanë nisur marrshimin e tyre nga korpusi i Universitetit të Tiranës, për të përfunduar përpara selisë së qeverisë, ku ishin vendosur një rresht policesh. “Për Universitetin, për Shqipërinë”, “Arsim publik falas”, “Qeveri privatësh” ishin disa prej parrullave që studentët mbanin në duar ndërsa lëshonin thirrje studentëve  të tjerë, por edhe qytetarëve të bashkoheshin në protestë.
Në një deklarataë lexuar para të pranishmëve në protestë, i bëhej thirrje kryeministrit Edi Rama të tërheqë ligjin e arsimit të lartë. Në të kundërt studentët paralajmëruan se do të bëjnë paralizimin e plotë të jetës universitare deri më realizimin e kërkesës së tyre. Sipas protestuesve ligji për arsimin e lartë “…e sheh studentin jo si një përfitues të dijes si e mirë publike, por si një element pothuajse jashtë sistemit të arsimit të lartë”. Gjithashtu studentët janë kundër një reforme që sipas tyre rrit tarifat e studimit.
Kjo është protesta më e madhe e studentëve në kundërshtimin e tyre pothuaj dy vjeçar ndaj ligjit për arsimin e lartë. Pak ditë më parë një grup i tyre hodhi vezë në drejtim të kryeministrit Rama, si edhe ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit.
Nga ana e tij kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë për të mos u tërhequr nga ligji, i cili sipas tij është hartuar nga ekspertë të njohur dhe me konsensusin më të madhe të mundshëm.
Opozita e djathtë nga ana e saj është shprehur kundra ligjit, pasi mendon se ai mbi të gjitha u mbyll rrugën familjeve të varfëra të shkollojnë fëmijët e tyre.