KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Liberalizimi i vizave: Kosova, Turqia, Ukraina duhet të presin
min e brendshem

Liberalizimi i vizave: Kosova, Turqia, Ukraina duhet të presin

Konkluzioni i ministrave të Brendshëm të BE-së: Turqia nuk e arrin dot afatin e përcaktuar për liberalizimin e vizave më 1 korrik. Por edhe Kosova, Ukraina e Gjeorgjia duhet të presin. Zyrtarisht ministrat e Brendshëm të BE në takimin e tyre në Luksemburg të premten, nuk vendosën për asgjë. Megjithatë është e qartë se liberalizimi i vizave për Turqinë, Kosovën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën nuk do të bëhet aq shpejt sa mendohej. Megjithëse Turqisë iu premtua liberalizimi i vizave në kuadër të paktit të refugjatëve me BE më 1 korrik, ministrat e Brendshëm ende nuk shohin plotësimin e kushteve. Një diplomat i BE-së thotë se vendimet për vizat nuk merren në një hapësirë boshe, por merren në kuadër të konteksteve politike. Për shkak të zhvillimeve politike në Turqi, presionit ndaj opozitarëve kurdë në parlament, fyerjeve ndaj deputetëve me origjinë turke në parlament, ende nuk ka ardhur koha për një vendim. Nga ana tjetër Turqia nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore. KE i kërkon Turqisë zbutjen e ligjeve kundër terrorit. Një raport i ri i BE-së pritet të martën. Sekretarja gjermane e Shtetit, Emily Haber i qëndroi pikëpamjes gjermane se marrëveshja për ripranimin e refugjatëve nuk ndikohet nga grindja për vizat. “Nuk kemi arsye të mendojmë, se nuk do të respektohen marrëveshjet. Po punojmë së bashku me shtetet anëtare, Komisionin Europian e Turqinë”, thotë Haber që përfaqësoi në Luksemburg, ministrin e Brendshëm gjerman,Thomas de Maiziere.