KRYEFAQJA » LAJME » Liberalizimi i vizave me Kosovën mund të përmbyllet në fund të vitit
viza

Liberalizimi i vizave me Kosovën mund të përmbyllet në fund të vitit

Zëvendësministri i integrimeve evropiane, Ramadan Ilazi, ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën ka shumë gjasa të përmbyllet deri në fund të vitit, pasi të jenë përmbushur kërkesat e Komisionit Evropian për lëvizje të lirë. Ilazi tha se zhvillimet brenda BE-së javët e ardhshme mund të ndikojnë në ngadalësimin e marrjes së vendimit për liberalizim të vizave për shtetasit e Kosovës. Komisioni Evropian në fillim të muajt maj, në një raport të tij, ka propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën me kushtin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni tha se do mbrojë propozimin e tij para Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dy institucione që duhet të vendosin për cështjen e liberalizimit të vizave paraprakisht. Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave, Tanja Fajon, ka deklaruar se Parlamenti në Kosovë duhet ta miratojë sa më shpejt marrëveshjen për demarkacion me qëllim të hapjes së mundësisë për lëvizje të lirë të qytetarëve. Opozita në Kosovë ndërkohë, pas një vale kundërshtimesh në fund të vitit të kaluar, ka ritheksuar faktin se çdo përpjekje për ta futur në Parlament çështjen e kufirit do të përballet me reagime. Së fundi ajo ka kërkuar një komision të ri që do ta përkufizojë mirë, sipas saj, kufirin me Malin e Zi. Përmbushja e kushteve të paraqitura nga Komisioni Evropian, pavarësisht reagimeve të opozitës, do të mund të ndikojë në qëndrimin e fortë të një pjese të vendeve anëtare të BE-së që e kanë kundërshtuar liberalizimin e vizave. Theks i veçantë thuhet të jetë vënë në sundimin e ligjit. Sidoqoftë, kjo verë mund të kalojë në çështje procedurale brenda Këshillit Evropian dhe Parlamentit të Evropës, dhe ka pak gjasa që ato të përmbyllen brenda disa muajsh. Vendimi për lëvizje të lirë mund të merret më vonë gjatë vitit, por edhe zyrtarët e Kosovës e kanë të qartë se lëvizja e lirë mund të bëhet jo para dhjetorit të këtij viti.