KRYEFAQJA » LAJME » Liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga Kuvendi dhe partitë politike

Liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga Kuvendi dhe partitë politike

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, tashmë është shndërruar në kusht të BE-së për liberalizimin e vizave me Kosovën. Kjo është theksuar disa herë nga zyrtarë të lartë evropian, duke iu bërë thirrje deputetëve të Kuvendit, në veçanti atyre të opozitës, për ta votuar sa më parë. Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka futur në axhendë ratifikimin e kësaj marrëveshje. Opozita vazhdimisht e ka kundërshtuar dhe duket të jetë konsistente në qëndrimet e saj lidhur me këtë çështje. Arsyeja e kundërshtimit të tyre, është se me këtë marrëveshje Kosova i fal rreth 8 mijë hektarë Malit të Zi. Por çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave, nëse marrëveshja e Demarkacionit nuk ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Mos ratifikimi, sipas ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, do të rrezikonte liberalizimin e vizave. Sipas ministrisë që drejton Çollaku, ratifikimi i marrëveshjes është kusht për këtë proces dhe tashmë Ministria e Integrimit konsideron se puna ka mbetur tek Kuvendi dhe partitë politike që të vendosin për procedimin e kësaj çështje.