KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Libri shqiptar në Sallonin e Librit në Torino
Libri shqiptar në Sallonin e Librit në Torino

Libri shqiptar në Sallonin e Librit në Torino

Shqipëria po përgatitet të marri pjesë në Sallonin e Librit në Torino, i cili këtë vit çelet më 12 maj. “Passaporto” është sllogani me të cilin shkrimtarët, përkthyesit dhe artistë shqiptarë, të kryesuar nga ministrja e kulturës Mirela Kumbaro, do të përfaqësohen në këtë sallon.
Tema e emigrimit dhe në veçanti fenomeni i letërsisë shqiptare në gjuhën italiane, do të jetë në qendër të disa veprimtarive. Të shtunën më 14 maj, në Sallën “Babel” të Librarisë Ndërkombëtare, do të zhvillohet aktiviteti “Përtej kufijve të ujërave e fjalëve”. Atje do të marrin pjesë shkrimtarët Anilda Ibrahimi dhe Alessandro Leogrande, regjisori Roland Sejko, gazetari Benko Gjata dhe përkthyesja Mimoza Hysi. Një ditë më pas do të mbahet aktiviteti “Nga një vend në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën; shkrimtaria si pasaportë” me shkrimtarët Carmine Abate, Arben Dedja dhe Visar Zhiti.
“Letërsia shqiptare emigruese në gjuhën italiane” do të jetë tema e një takimi në Stendën e Rajonit të Pulias ku do të marri pjesë shkrimtari emigrant Arben Dedja. Po në këtë pavjon ministrja e kulturës Mirela Kumbaro do të diskutojë me këshilltaren për Industrinë Turistike e Kulturore, Loredana Capone, mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen e promovimit të kulturës shqiptare në Itali.