KRYEFAQJA » LAJME » Liderët e Kosovës shprehin dhimbjen për ngjarjen e Mynihut
koso

Liderët e Kosovës shprehin dhimbjen për ngjarjen e Mynihut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,ka shprehur ngushëllimet për sulmet e mbrëmshme në Mynuh. Në faqen e tij në Facebook Thaçi ka shkruar se lajmi edhe për viktimat nga Kosova, është shokues dhe ka prekur tërë vendin. Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është informuar zyrtarisht nga Ambasada e Kosovës në Berlin, se mes viktimave të sulmeve të mbrëmshme vdekjeprurëse në Munih, janë edhe tre të rinj shqiptarë. Kryeministri Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve për këto humbje të pakompensueshme. Mustafa, po ashtu, ka theksuar se Qeveria dhe qytetarët e Republikës së Kosovës qëndrojnë pranë familjarëve të viktima dhe bashkëndjejnë dhimbjen, në këto momente të rënda për të gjithë. Kryeministri Isa Mustafa, gjatë ditës, i ka dërguar një telegram ngushëllimi edhe Kancelares Gjermane Angela Merkel, duke i shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur dhembjen e thellë për viktimat që solli krimi i mbrëmshëm në Munih të Gjermanisë, njofton Zyra për Media nga Kuvendi i Kosovës. “Ndjejmë dhimbje të thellë dhe shprehim indinjatën tonë për krimin makabër që ua mori jetën 10 qytetarëve të pafajshëm në Munih, në mesin e të cilëve edhe tre bashkatdhetarë tanë. Shpreh solidaritetin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës me shtetin dhe popullin gjerman, duke konsideruar se sulmet e tilla të tmerrshme nuk do të mundin të ndryshojnë vlerat tona të përbashkëta dhe mënyrën tonë të jetesës”, ka thënë kryetari Veseli.