KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Europës: Kukësi mundet 4-1 nga Austria e Vjenës
Liga e Europës: Kukësi mundet 4-1 nga Austria e Vjenës

Liga e Europës: Kukësi mundet 4-1 nga Austria e Vjenës

Kukësi është mundur me rezultatin 4-1 nga Austria e Vjenës, në ndeshjen e kthimit, të vlefshme për turin e dytë paraeliminator të Ligës së Europës. Në Elbasan Arena, skuadra verilindore nuk ka mundur të japë më të mirën e saj duke pësuar gol që në të 16′ me anë të Kajode. Një kros nga krahu i majtë i sulmit, dhe Kajode i vetëm në zonë mposht portierin Koliqi. Mundohet të reagojë Kukësi me anë të Lilës në të 25′ por pret portieri. Në të 37′ një sulm i bukur i Kukësit. Latifi pason për Eminin që driblon mbrojtjen austriake, por jo portierin. Me fitoren 1-0 të Austrisë së Vjenës, mbyllen 45 minutat e para të takimit.

Pjesa e dytë nis më mirë për Kukësin që kërkon të marrë inisiativën. Latifi në të 50′ ekzekuton bukur një goditje dënimi por pa mundur ta prekë kuadratin e portierit austriak. Më pas është Fukui që në të 51′ rrezikon me kokë. Ndërsa Kukësi po luante mirë e po kërkonte golin e barazimit, në të 57′ Kajode shënon golin e dytë, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes kuksiane. Në të 67′ Holzauser shënon një gol të bukur nga larg duke mposhtur për herë të tretë portierin Koliqi. Në këto çaste tifozët kuksianë, të zhgënjyer, fillojnë të largohen nga stadiumi Elbasan Arena. Në të 77′ Hallaçi pas një driblimi të bukur në qendër të mbrojtjes së miqve shënon golin e parë për Kukësin. Por ndeshja do të mbyllej me golin spektakolar të shënuar nga Martçinko. Duke vulosur shifrat përfundimtare të takimit në 4-1. Një ndeshje për t’u harruar kjo për Kukësin, që largohet kështu nga Liga e Europës.