KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Europës me emocione të mëdha në çerekfinale
Liga e Europës me emocione të mëdha në çerekfinale

Liga e Europës me emocione të mëdha në çerekfinale

Shumë emocione të forta priten në çerekfinalet e Ligës së Europës. Njëra nga ndeshjet është derby spanjol ndërmjet Atletik Bilbaos dhe Seviljes ndersa tjetra një finale e parakohëshme ku Jürgen Klopp, trajneri i Liverpulit, duhet të përballet me ish skuadrën e tij Borusia Dortmund.

Duke parë sezonet e kaluara, në Sevilje me siguri janë gëzuar në çastin e shortit, jo aq shumë për vlerën e Atletik, që në kampionat ka vetëm një pikë më pak, sesa për rezultatet e derby-ve spanjol në kupat e europës. Dy vite më parë andaluzët eliminuan në fillim Betisin dhe pastaj Valencian, vitin që shkoi e kishte radhën Vilareali. Kështu kampionët në fuqi të Ligës së Europës shpresojnë se duke u përballur me një tjetër skuadër spanjole mund t’i sjellë fat.

Shumë veta thonë se Borusia D.-Liverpul është finalja e parakohëshme. Janë dy skuadra që kanë një histori të pasur futbollistike sidomos kohët e fundit por edhe me dy tifozeri shumë të nxehta. Kthimi i Klopp në Dortmund do të ketë, me shumë mundësi, një numër rrekord tifozësh që do të mbushin Signal Iduna Park. Trajneri gjerman e lajmëroi vendimin e tij për të lënë Borusian me 15 prill 2015. Për ironi të fatit, një natë pas ndeshjes së kthimit kundër ish-skuadrës së tij do të mbushtet plot një vit. Borusia ndodhet në vendin e dytë në Bundesligë dhe e ndajnë vetëm pesë pikë nga Bajerni ndërsa Liverpuli ndodhet në vendin e tetë të Premier League, 19 pikë pas vendit të parë, Leiçester Sitit. Dy skuadrat kanë pak histori në kupat e Europës, gjithsej tre ndeshje, por njëra prej tyre ishte finalja e kupës së Kupave për sezonin 1965-1966 ku Borusia mund 2-1 në shtesë Liverpulin. Dy ndeshjet e tjera i kanë zhvilluar në Ligën e Kampioneve në sezonin 2001-2002. Ata kanë qënë pjesë e Grupit B, ndeshja e parë në Dortmund është mbyllur në barazim 0-0 ndeshja e dytë në Liverpul ka përfunduar 2-0 për vendasit të cilët e mbyllën grupin në vendin e parë ndërsa Borusia u eliminua nga Liga e Kampioneve por e vazhdoi aventurën në Kupën UEFA.