KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Europës: Skënderbeu humb 0-1 me Beshiktashin
Liga e Europës: Skënderbeu humb 0-1 me Beshiktashin

Liga e Europës: Skënderbeu humb 0-1 me Beshiktashin

Skënderbeu e ka nisur me një humbje aventurën e saj historike në fazën e grupeve të Ligës së Europës, duke u mundur 0-1 në Elbasan Arena, nga Beshiktashi. Ky takim u përcoll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radiotelevizionit Shqiptar.

Pjesa e parë ka nisur më mirë për turqit, të cilët kanë treguar dhëmbët dhe kanë rrezikuar seriozisht portën pas 5 minutash lojë, por portugezi Rikardo Kuarezma ka bërë më të vështirën, duke e dërguar topin mbi shtyllën horizontale në një pozicion mjaft të volitshëm.Loja ka vijuar me të njëjtën fizionomi, me turqit gjithnjë e më të rrezikshëm në lojën e tyre dhe në minutën e 28-të, është argjentinasi Soza ai që godet fuqishëm në hyrje të zonës, në pozicion të prirët dhe mposht Shehin, duke përshëndetur rrjetën. Me këtë epërsi njëgolëshe, por edhe me një lojë më dominuese të Beshiktashit, do të mbyllen 45 minutat e para.

Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën fizionomi. Korçarët fillojnë të guxojnë gjithnjë e më tepër, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe duke rrezikuar portën e turqve. Vetëm shtylla do t’i mohojë golin Berishës, ndërsa në krahun tjetër, 15 minuta para fundit, Beshiktashi gjen edhe golin e dytë, por që anullohet për pozicion jashtë-loje. Çerekorëshi i fundit i ndeshjes do të mbyllet me dy skuadrat që do të kërkojnë golin që do të bënte diferencën, por lodhja ka bërë të vetën, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht, duke bërë që, në fund, në fuqi të mbetet goli i vetëm i shënuar në pjesën e parë.

Skënderbeu mundet kështu në takimin e parë të grupit H, ndërsa në takimin tjetër të grupit, Lokomotiva e Moskës ka bërë surprizën në Portugali, duke fituar 3-1 në Lisbonë ndaj Sportingut vendas.

Liga e Europes - Grupi H