KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Evropës: M.Junajtid fiton 1-0 me Zorian
uefa-europa-league

Liga e Evropës: M.Junajtid fiton 1-0 me Zorian

Liga e Evropës është përcjellë për teleshikuesit nga Televizioni Shqiptar me emocionet e ndeshjes Mançester Junajtid-Zoria, e luajtur të enjten në mbrëmje. Ka mjaftuar një gol i realizuar nga Zllatan Ibrahimoviç për t’i dhënë 3 pikët skuadrës së Zhoze Murinjos. As humbjes së parë me Fejëndorin në Ligën e Evropës, të gjithë prisnin një ndeshje më të mirë në Old Traford, përballë ekipit modest të Zorias. Por ukrainasit nuk lejuan aspak që skuadra e Djajve të Kuq të tregonte epërsinë e vet. Përveç Ibrahimoviç, të gjithë lojtarët e tjerë të Junajtid duket sikur luajnë pa dëshirë duke i mbyllur 45 minutat e para 0-0. Edhe në të dytën nuk ka ndryshim përsa i përket grintës së skuadrës angleze. Duhej të vinte minuta e 69 që Ibrahimoviç të realizonte me kokë brenda zonës ukrainase. 3 pikë për Mançester Junajtid që nuk bind aspak me lojën e shfaqur në fushë. Nuk kanë munguar surprizat edhe në ndeshjet e tjera. Interi pëson një tjetër humbje. Këtë radhë është mundur 3-1 nga Sparta e Pragës. Tjetër përfaqësim i dobët i formacionit të De Bur. Fiorentina ka fituar bindshëm 5-1 me Karabakun e Ansi Agollit, Steaua e Bukureshtit ka barazuar 1-1 me Vijarealin. Po ashtu edhe Roma ka fituar 4-0 me Astran. Për skuadrat ku luajnë shqiptarët, Viktoria Plzen e Ergys Kaçes ka barazuar 0-0 me Austrinë e Vjenës, Zyrihu ka fituar ka fituar 2-1 me turqit e Osmanlisporit. Te skuadra e Zyrihut nuk ka luajtur Sadiku i dëmtuar por nuk ka munguar Burim Kukeli.