KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Kampioneve: Buffon së shpejti në kubin e 100-shes
Liga e Kampioneve: Buffon së shpejti në kubin e 100-shes

Liga e Kampioneve: Buffon së shpejti në kubin e 100-shes

Lojtari më i mirë i ndeshjes së fundit kundër Olimpik Lionit me një penallti të pritur dhe të paktën dy “mrekulli” të bëra gjatë lojës, Gianluigi Buffon do të presë shiritin e një caku të rëndësishëm kur skuadra e tij, Juventus të presë skuadrën franceze në Torino javën e ardhshme.

Portjeri bardh e zi, 38 vjeç, do të luajë ndeshjen e tij të 100-të në Ligën e Kampioneve të Europës pa përfshirë ndeshjet paraeliminatore, duke u bërë lojtari i 27-të i këtij “klubi” që bën përjashtim. Ndeshja e parë e tij, me fanelën e Parmës, u luajt në shtëpinë e Spartës së Pragës me 17 shtator 1997. Në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç dhe në tre ndeshjet e para porta e tij mbeti e paprekur, si në tre ndeshjet e para të këtij sezoni.

Por kupën e Ligës së Kampioneve nuk ka arritur ta marrë deri tani. I ka shkuar pranë dy sezone më parë, në vitin 2015, kur Juventus u mund në finalen e Ligës së Kampioneve 3-1 nga Barcelona por edhe në vitin 2003 kur bardh e zinjtë iu përulën Milanit vetëm në gjuajtjet e penalltive në finalen e Mançesterit. Kur ndeshjet e Buffon të arrijnë në 100 do t’i bashkohet pikërisht ukrainasit Andriy Shevchenko, që në finalen e Mançesterit shënoi penalltinë vendimtare.

Buffon ka luajtur në Ligën e Kampioneve 99 ndeshje, 6 me Parmën (2 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje) dhe 93 me Juventusin (42 fitore, 26 barazime dhe 25 humbje).

Ja dhe lojtarët që kanë 100 ndeshje e sipër në Ligën e Kampioneve të Europës (duke filluar nga ndeshjet në grupe deri në finale).

1. Iker Casillas 159
2. Xavi Hernández 151
3. Raúl González 142
4. Ryan Giggs 141
5. Cristiano Ronaldo 130
6. Clarence Seedorf 125
7. Paul Scholes 124
8. Roberto Carlos 120
9. Zlatan Ibrahimović 119
10. Andrés Iniesta 117
11. Carles Puyol 115
12. Xabi Alonso 114
13. Thierry Henry 112
14. Petr Čech 109
14. Gary Neville 109
14. John Terry 109
17. Ashley Cole 108
17. Lionel Messi 108
17. Andrea Pirlo 108
20. David Beckham 107
20. Philipp Lahm 107
22. Víctor Valdés 106
23. Patrice Evra 105
23. Frank Lampard 105
25. Luís Figo 103
26. Andriy Shevchenko 100