KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Kampioneve: Nis me takimin e fortë Paris S.G. – Arsenal
Liga e Kampioneve: Nis me takimin e fortë Paris S.G. - Arsenal

Liga e Kampioneve: Nis me takimin e fortë Paris S.G. – Arsenal

Liga e Kampioneve nis sot me ndeshjet e grupeve A,B,C dhe D. Grupi A është padyshim një nga më interesantët e kësaj lige. Që në ndeshjen e parë dy klube të mëdhenj të futbollit europian do të ndeshen në orën 20:45, Paris S.G. dhe Arsenal. Por jo vetëm kaq, në këtë grup do të vihen përballë njëri-tjetrit edhe dy vëllezërit Xhaka, Graniti me fanelën e Arsenalit ndërsa Taulanti me atë të Bazelit. Dy vëllezërit do të përballen të mërkurën me 28 shtator në Londër.

Në Grupin B, Napoli luan ndaj Dinamos së Kievit. Mbrojtësi i kombëtares sonë, Elseid Hysaj bën ndeshjen e tij të parë në këtë aktivitet të rëndësishëm për klube. Në ndeshjen tjetër përballen Benfika dhe Beshiktashi. Barcelona – Sëlltik dhe Mançester Siti – Borusia Mynçengladbah janë dy ndeshjet e Grupit C. Skuadra spanjole dhe ajo angleze po kalojnë një çast të mirë në kampionatet respektive. Ndërsa në Grupin D, Bajerni i Mynihut pret Rostovin e Rusisë ndërsa PSV Eindhoven pret Atletikon e Madridit. Për trajnerin e Bajernit, Carlo Ancelotti kjo është prova e parë me skuadrën gjermane në Ligën e Kampioneve.