KRYEFAQJA » LAJME » Ligji i barnave, opozita polemizon me qeverinë
Ligji i barnave, opozita polemizon me qeverinë

Ligji i barnave, opozita polemizon me qeverinë

Ligji i ri për barnat, ka sjellë shkëmbim polemikash në fundjavë mes qeverisë dhe opozitës. Kjo e fundit vlerëson se ligji u hap rrugë ilaçeve të skaduara në tregun shqiptar. Deputeti demokrat Roland Keta, në një deklaratë për shtyp tha se “Qeveria, Edi Rama dhe Ilir Beqa, po kërkojnë të heqin pikërisht atë nen të ligjit që shërben si garanci për ilaçet që hyjnë në vendin tonë. Duke i hapur rrugët e importit për skarcitete, vetëm e vetëm që biznesi i miqve dhe klientelës Rama-Beqa të lulëzojë, pa marrë në konsideratë shëndetin e qytetarëve”. Sipas deputetit Keta “ligji aktual nuk lejon futjen e një medikamenti që nuk ka qarkulluar të paktën dy vjet në vendet e Bashkimit Europian”.
Por ka reaguar menjëherë zëvendësministrja e shëndetësisë, Milva Ikonomi. Ajo akuzoi opozitën se po mbron interesat e bizneseve të caktuar. “Është tashmë e qartë se lobet e farmaceutikës që kanë zënë për fyti mazhorancën e djeshme dhe opozitën e sotme, janë aktivizuar sërisht dhe aspak rastësisht, duke përbaltur arritjet e qeverisë në sektorin e barnave dhe shërbimit farmaceutik”. Lidhur me akuzën kryesore të opozotës, zonja Ekonomi tha se “Dispozita e përcaktuar propozon se në Shqipëri lejohen të qarkullojnë barna me origjinë nga vendet e Ballkanit me kushtin që të jenë të regjistruara dhe të qarkullojnë në vendin e origjinës”.
Debati opozitë-qeveri nisi pasi kjo e fundit vendosi të ndryshojë ligjin e barnave që importohen dhe përdoren në Shqipëri. Ligji parashikon që barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit mund të tregtohen në Shqipëri pa qenë e nevojshme që të qarkullojnë të paktën në një vend të BE, ashtu siç ishte parashikuar në ligjin e vitit 2014.