KRYEFAQJA » LAJME » Ligji i dekriminalizimit, marrëveshja drejt finalizimit
Ligji i dekriminalizimit, marrëveshja drejt finalizimit

Ligji i dekriminalizimit, marrëveshja drejt finalizimit

Pas shumë polemikash dhe tensionesh, maxhoranca dhe opozita, duket se po gjejnë gjuhën e përbashkët për miratimin e akteve nënligjore të ligjit të dekriminalizimit.
Deputeti socialist, Taulant Balla tha të enjten në mbrëmje se pritej një mendim nga ana e PD. “Nesër në Kuvend do të kemi zbardhur të gjithë dokumentacionin. Ajo që bëhet fjalë është për një vendim të Kuvendit dhe më pas për formularin e vetëdeklarimit. Këto çështje të mbyllen nesër. Nuk ka më negociata. Kemi rënë dakort për të gjitha dhe ajo që ka ngelur është që kërkohet një mendim mbi ato që është dakortësuar nga ana e PD” u shpreh zoti Balla.
Edhe deputeti demokrat Oerd Bylykbashi shprehu besimin se do të kapërcehen edhe ato pak pengesa që sipas tij kanë mbetur. “Janë çështje që kanë të bëjnë me mekanizmat që funksionon procesi i verifikimit. Pres që nesër të kemi një përmbyllje të procesit. Por mbeten të hapura çështje të tjera pezullimi me i ligj i deputetëve që plagosin apo vrasin, apo arrestohen në flagrancë dhe më pas rikthehen për të ushtruar funksionet publike. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm që kemi ne” tha zoti Bylykbashi.
Me mjaft opotimizëm u shpreh edhe kreu i parlamentit Ilir Meta i cili u investua mjaft në sheshimin e mosmarrëveshjeve. “Besoj se konsensusi është arritur dhe nëse ka ndonjë mendim për ndonjë çështje që s’është thelbësore, besoj që kemi kohë për ta përmbyllur këtë me sukses deri nesër paradite” tha zoti Meta.
Pritet që të premten paradite gjithçka të marri fund me një votim në kuvend, pasi më 6 mars ligji për dekriminalizimin hyn në fuqi.