KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ligji i mbetjeve përplas Ramën me Bashën
Ligji i mbetjeve përplas Ramën me Bashën

Ligji i mbetjeve përplas Ramën me Bashën

Fundjava rezervoi një tjetër përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Në fokus të saj ishte sërish i quajturi ligji për mbetjet, mjaft i debatuar kohët e fundit në Shqipëri.
Fillimisht ishte zoti Rama i cili në profilin e tij në Fejsbuk shprehu vendosmërinë e tij për të pastruar Shqipërinë vendin nga plehrat. “Legjislacioni i ri e ka të qartë e zeza mbi të bardhë që hap padyshim një kapitull të ri për Shqipërinë e gjelbër të gjeneratës tjetër. Importi i mbetjeve nga jashtë është rreptësishtë i ndalur sepse në ligjin e ri është shkruar ajo çfarë nuk ishte shkruar në ligjin e vjetër. Në Shqipëri ndalohet djegia apo groposja e mbetjeve të importuara” tha zoti Rama. Ai pranoi se nuk është bërë sa duhet për të informuar njerëzit, ndërsa tha se ishte i gatshëm të vazhdonte të dialogonte me ambientalistët. “Dua të nënvizoj se jam dhe jemi të gatshëm të diskutojmë sy më sy për përmbajtjen e legjislacionit të ri me çdo ambjentalist të keqkuptuar, por të sinqertë në shqetësimin e vet. Po njëkohësisht as nuk ka kthim mbrapa dhe as nuk ka hije dyshimi se legjislacini i ri hap qartësisht një kapitull të ri për Shqipërinë e gjelbër të gjeneratës tjetër” nëvizoi zoti Rama. Kryeministri socialist sulmoi ashpër opozitën që sipas tij “E kthyer në një shkretëtirë idesh dhe e mbetur rrugëve pa një lidership, pa kurrfarë programi, e katandisur në një grupim politik që e kalon çdo ditë duke shpifur që të frikësojë sa më shumë shqiptarët për drogë, ilaçet, ushqimet, maturën, plehrat dhe çfarë di dalë përpara, PD ka marrë pësipër të bëjë për publikun rolin që Gogoli luan për fëmijët”.
Por po kaq ashpër i është përgjigjur kreu i opozitës Lulzim Basha, për të cilin deklarata e kryeministrit ishte “mashtrimi i rradhës”. “3 vjet më parë ju premtoi shqiptarëve se kurrë nuk do të lejonte mbetjet e huaja në vend. Tani që po i mbaron mandati, tinëzisht, pa transparencë kaloi ligjin që i hap rrugë Mafias të sjellë helmet e Europës në Shqipëri. Në këto 3 vite nuk prodhoi gjë tjetër veç varfëri, eksod, krim dhe drogë. Tani do ta mbushë vendin me helmet dhe plehrat e botës. Shqipëria pa Edi Ramën është Shqipëria pa plehra. #Shqiperia me mire pa Edi Ramen” përfundon reagimin e tij në Fejsbuk zoti Basha.