KRYEFAQJA » LAJME » Ligji për sigurinë publike, Tahiri: Do të reflektoj rreth vërejtjeve të presidentit, por ligji do të miratohet
Ligji për sigurinë publike, Tahiri: Do të reflektoj rreth vërejtjeve të presidentit, por ligji do të miratohet

Ligji për sigurinë publike, Tahiri: Do të reflektoj rreth vërejtjeve të presidentit, por ligji do të miratohet

Ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka premtuar se do të reflektojë rreth vërejtjeve të presidentit Nishani mbi ligjin për sigurinë publike, por shprehu vendosmërinë për miratimin e tij. “Presidenti ka ushtruar  të drejtën e tij kushtetuese.  Ka shfaqur edhe disa rezerva të cilat kam shumë besim që, bashkë me Komisionet në Parlament do t’i shohim. Nëse ka diçka për të reflektuar do e reflektojmë” tha zoti Tahiri të martën një ditë pasi presidenti Nishani ktheu ligjin në parlament. “Në të kundërt, do të vazhdojmë me projektin që kemi nisur dhe që u miratua në Parlament” shtoi më tej ai. Ministri Tahiri tha se Ligji për Sigurinë Publike shton shumë kapacitetin e Policisë së Shtetit dhe të gjithë institucioneve të tjera për të bërë Shqipërinë më të sigurtë. Sipas tij aktualisht “në botën e zhvilluar asnjë debat më, nëse duhet të gjejmë balancë apo jo ndërmjet privatësisë dhe nevojës për siguri”. “Ju besoj e dini që në çdo vend të botës ka masa sigurie të shtuara, kjo për shkak të luftës kundër terrorizmit por dhe për shkak të luftës kundër kriminalitetit, të cilat qytetarët i mirëpresin” mbrojti idenë e tij ministri i brendshëm Saimir Tahiri.
Të hënë presidenti Nishani ktheu ligjin për sigurinë publike për rishqyrtim në parlament. Sipas tij ligji cënon të drejtat për respektimin e jetës private dhe familjare, ka përplasje me Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse të detyrueshme. Ligi ishte kundërshtuar edhe nga opozita e djathtë dhe disa organizata të shoqërisë civile.