KRYEFAQJA » LAJME » Ligji për Vetingun, Meta në takime te veçanta me Bashën dhe Ramën
Ligji për Vetingun, Meta takohet me Bashën
Foto ilustruese

Ligji për Vetingun, Meta në takime te veçanta me Bashën dhe Ramën

Kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta ka zhvilluar të hënën një takim me Kryetarin e Opozitës, Lulzim Basha dhe Nënkryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi. Sipas njoftimeve nga zyra e shtypit e parlamentit, zoti Meta është konsultuar për mënyrën e miratimit sa më të shpejtë dhe me konsensus të Ligjit për Vetingun.
Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit informoi bashkëbiseduesit mbi bisedimet që ka pasur me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, Ambasadorin e SHBA, Donald Lu, Ambasadoren e BE, Romana Vlahutin mbi domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për Vetingun brenda muajit gusht.
Në takim u dakortësua në parim nevoja për miratimin me përparësi, brenda muajit gusht të Ligjit për Vettingun, si dhe mbi kalendarin e shqyrtimit të këtij ligji sipas procedurave kushtetuese parlamentare, duke filluar nga dita e martë me mbledhjen zyrtare të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi se mbështet këtë kalendar dhe se opozita do të marre pjesë aktive dhe konstruktive në Komisionin e Posaçëm, duke filluar me prezantimin e komenteve të saj për Ligjin e Vettingut në mbledhjen e ditës së nesërme. Gjithashtu, Kryetari i Partisë Demokratike shprehu gatishmërinë për të avancuar edhe me ligjet e tjera, sapo anëtarët dhe ekspertët e opozitës të njihen me draftet më të fundit të përgatitura nga Komisioni i Posaçëm, veçanërisht Ligji për Prokurorinë Speciale dhe Ligji për Organet e Qeverisjes së Gjyqësorit.
Bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin për nevojën e miratimit sa më të shpejtë me konsensus dhe cilësi të lartë të këtyre ligjeve, në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës së Re dhe Opinionit Final të Komisionit të Venecias.
Zoti Meta është takuar mbrëmjen e së hënës në vilën qeveritare në Durrës edhe me kryeministrin Rama.