KRYEFAQJA » LAJME » Lionel Mesi tërhiqet nga përfaqesuesja
Messi terhiqet nga perfaqesuesja

Lionel Mesi tërhiqet nga përfaqesuesja

Një tjetër dështim, por që duket se ka rënduar më tepër se gjithë të tjerët dhe ka çuar në vendimin ekstrem, atë të tërheqjes nga ekipi përfaqësues. Argjentina është mundur, për të dytin vit radhazi, në finalen e “Kopa Amerikas” përballë Kilit, duke dështuar të dielën në mbrëmje vonë nga pika e bardhë e 11-metërshave, por ky lajm është eklipsuar nga një lajm akoma edhe më i madh. Lionel Mesi ka deklaruar tërheqjen nga ekipi përfaqësues, duke ulur kështu siparin e një karriere 11-vjeçare me fanellën bardhekaltër të Argjentinës. Shtatshkurtëri i Barcelonës, i cili shpërdoroi një nga 11-metërshat në humbjen në finale përballë Kilit, ka humbur kështu finalen e 3-të madhore radhazi, dhe të 4-tën në karrierë me përfaqësuesen, dhe trishtimi ka qenë i dukshëm në fytyrën e tij. Pasi pati dështuar në finalen e Botërorit 2014 ndaj Gjermanisë dhe dy herë radhazi në dy vitet e fundit në finalet e “Kopa Amerikas” si dhe një herë në finalen e kësaj veprimtarie më 2007-ën, Mesi i ka dhënë fund karrierës së tij ndërkombëtare, duke u detyruar të kënaqet vetëm me një medalje të artë olimpike më 2008-n me Argjentinën. Ndërkohë, ai mbetet sidoqoftë i jashtëzakoshëm me klubin e Barcelonës, me të cilën ka fituar ndër të tjera 8 herë titullin “kampion” i Spanjës si dhe 4 herë trofeun e Ligës së Kampioneve.