KRYEFAQJA » LAJME » Liqeni i Shkodrës nxirret helikopteri i aksidentuar
Liqeni i Shkodrës nxirret helikopteri i aksidentuar

Liqeni i Shkodrës nxirret helikopteri i aksidentuar

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar të dielën se ka arritur të nxjerrë nga Liqeni i Shkodrës helikopterin EC 145 të FA i cili u rrëzua të mërkurën e kaluar gjatë një misioni patrullimi në veri të vendit, duke sjellë vdekjen tragjike të dy pilotëve dhe plagosjen e një anëtari të ekuipazhit. Sipas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë “Ekspertët e kompanisë prodhuese “Eurocopter” si dhe ekspertë ushtarakë amerikanë të specializuar për këtë lloj helikopteri, të thirrur nga Ministria e Mbrojtjes për të asistuar në zbardhjen e ngjarjes, kanë asistuar grupin hetimor të kryesuar nga prokuroria për të nxjerrë kamerën regjistruese”. Kamera regjistruese është në dispozicion të Prokurorisë, e cila po heton çështjen.
Disa njoftime në media se kutia e zezë e helikopterit është gjetur e dëmtuar, ka nxitur reagime të ashpra veçanërisht nga segmente të opozitës, e cila ka akuzuar drejtuesit kryesorë të MM se po manipulojnë provat. Opozita i kishte akuzuar ata më parë se e kishin përdorur helikopterin e FA për afera të dyshimta private, por ato u hodhën poshtë veçanërisht nga ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli. Së fundi në një njoftim në Fejsbuk zonja Kodheli garanton se MM sëbashku me Prokurorinë mbeten maksimalisht të angazhuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.