KRYEFAQJA » LAJME » Lirimi i Lul Berishës, ish-drejtori: Nuk kam lidhje, është faji i juristit

Lirimi i Lul Berishës, ish-drejtori: Nuk kam lidhje, është faji i juristit

Ish-drejtori i burgut të Durrësit, Astrit Kote ka mohuar sot para trupit gjykues të ketë lidhje me lirimin e Lulzim berishës. Ai ka dalë për herë të parë para gjykatës pas arrestimit dhe shkarkimit, ndërsa ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me lirimin e Berishës, pasi sipas tij numërimi i ditëve të burgut është një procedurë e juristit, Teodor Labi. “Nuk kam lidhje me dinamiken e vuajtjes se dënimit sepse është procedure e juristit dhe jo e drejtorit të burgut.Çdo dinamikë kontrollohet formalisht nga drejtori. Raportet me zyrën juridike, janë të tilla që ricikloj dhe miratoj veprimtarinë e juristit. Personalisht nuk merrem me pjesën e dënimit të të burgosurve. Dua te di ku kam bërë falsifikim dhe kam shkelur detyrën” tha ai para gjykatës kur u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. Kote u arrestua mbrëmjen e 21 dhjetorit, ndërsa është shpallur në kërkim juristi i burgut. Ata akuzohen se në bashkëpunim me juristin kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit në burg të të dënuarit Lulëzim Berisha. Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se i dënuari Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht.