KRYEFAQJA » LAJME » Lirohen studentët që hodhën vezë ndaj Ramës, por ata thonë se protesta do të vazhdojë
Lirohen studentët që hodhën vezë ndaj Ramës, por ata thonë se protesta do të vazhdojë

Lirohen studentët që hodhën vezë ndaj Ramës, por ata thonë se protesta do të vazhdojë

Tetë studentët që u ndaluan nga policia mesditën e së hënës pasi hodhën vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, u liruan pas afro 8 orësh izolimi në rajonin  e policisë. Ata thanë se ishin dhunuar gjatë momentit të ndalimit, por jo brenda ambienteve të policisë. “Do të  ndiqemi penalisht për kundërshtim të policisë dhe që nuk i jemi bindur” tha një prej studenteve. Studentët këmbëngulin se do të vazhdojnë të kundërshtojnë reformën e arsimit të lartë të miratuar nga qeveria. “Ky është vetëm fillimi i rezistences, dhe ashtu siç i pëlqen ta thotë edhe kryeministri; Nuk keni parë asgjë akoma, rezistenca vazhdon” tha një nga studentet protagoniste. Ata deklaruan se do të shpallin non grata në ambientet universitare kryeministrin Rama dhe ministren e arsimit Nikolla. “Duam të shprehim që ministrja e Arsimit dhe kryeministri i Shqipërisë janë persona non grata në ambientet universitare. Do të vazhdojnë që ato t’u përkasin studentëve dhe do çlirohen në çdo mënyrë. Le të përkthehet kjo nëpër fjaloret e kryeministrit” thanë studentët. Gjatë qëndrimit në rajonin e policisë, studentët u mbështetën nga bashkëmoshatarët e tyre, familjarë, por edhe politikanë të opozitës. Duke protestuar ata kërkonin lirimin e shokëve të tyre.