KRYEFAQJA » LAJME » Llalla ristrukturon njësinë antikorrupsion
Dyshimet për korrupsion, pezullohet prokurori

Llalla ristrukturon njësinë antikorrupsion

Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka vendosur të ristrukturojë njësinë antikorrupsion pranë kësaj prokurorie. Arsyeja sipas burimeve zyrtare është ndër të tjera se “…ngarkesa e kësaj njësie nuk ka qenë e lartë, pasi nuk ka pasur referime për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë gjatë muajve të fundit nga institucionet e ngarkuara me ligj”. Gjithnjë sipas njoftimit, numri i prokurorëve që hetonin denoncimet për korrupsion nga pesë do të zbresi në tre, por do të shtohet me pesë numri i prokurorëve që do të hetojnë veprat penale me qëllime terroriste.
Njësia antikorrupsion pranë prokurorisë së përgjithshme u ngrit kohë më parë për të luftuar fenomenin e korrupsionin në vend, i cili pranohet nga të gjithë që është në nivele të larta. Zoti Llalla kishte paralamëruar ndërkaq arrestime të bujshme, por që në fakt nuk ndodhën. Këto zhvillime vijnë ndërsa duket se është në përfundim reforma në drejtësinë shqiptare e cila ështe deklaruar se do t’i japi goditje të forta korrupsionit në Shqipëri, një nga kërkesat e panegociueshme të komunitetit ndërkombëtar për integrimin e vendit. Në komentet e para pas këtyre ndryshimeve në prokurorinë e përgjithshme, më së shumti po flitet për dështim në punën e saj.