KRYEFAQJA » LAJME » Lokomotiva-Skënderbeu, UEFA hap procedurat kundër racizmit
Lokomotiva-Skënderbeu, UEFA hap procedurat kundër racizmit

Lokomotiva-Skënderbeu, UEFA hap procedurat kundër racizmit

UEFA ka hapur procedurat për racizëm kundër Lokomotivës së Moskës, pas thirrjeve antishqiptare  në takimin Lokomotiva-Skenderbeu, luajtur javën e kaluar në stadiumin “Cherkizovo” dhe që përfundoi 2-0 në favor të moskovitëve. Shfaqja e një flamuri shqiptar pas krahëve të portierit rus Guihelme, ka provokuar thirrje kundër shqiptarëve. “Vritini shqiptarët”, “Kosova është Serbi” ishin thirrjet e degjuara nga tifozët rusë mes të cilëve sipas dëshmitarëve kishte edhe serbë. Rojet e sigurisë së stadiumit hoqën flamurin shqiptar, por thirrjet kundër shqiptarëve vazhduan. Dëshmitarë të ngjarjes  thanë se tifozët shqiptarë, shumica studentë shqiptarë që studiojnë në Moskë, janë shoqëruar pas ndeshjes nga forcat e sigurisë.
Klubi rus kërkoi falje pas kësaj ngjarjeje. Në deklaratën e Lokomotivës së Moskës ndër të tjera shkruhet: “FC Lokomotiva kërkon falje thellësisht për atë çfarë ka ndodhur. Mbështesim tolerancën zero në bazë të rregullores së UEFA-s mbi diskriminimin. U kërkojmë falje, tifozëve dhe klubit Skënderbeu, për atë çfarë ndodhi në mbrëmjen e djeshme. Ju sigurojmë që përgjegjësit do të ndëshkohen në bazë të legjislacionit të Federatës Ruse të Futbollit dhe do të marrim masat e duhura që në stadiumin tonë të mos përsëritet një ngjarje e tillë.
Skenderbeu i Korcës e konsideroi në një deklaratë të tij ngjarjen si të turpshme. “Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se respektimi i kombit Shqiptar. Dinjiteti dhe krenaria jonë kombëtare nuk mund të fyhen nga askush ndaj kemi vendosur që këtë rast ta cojmë deri në fund në respekt të tifozëve tanë, por edhe gjithë komunitetit Shqiptar anë-mbanë botës” nënvizohet në deklaratë.
Trupi disiplinor i UEFA-s do ta diskutojë çështjen më 15 Tetor dhe mund të vendosi sanksione për Lokomotivën e Moskës.