KRYEFAQJA » LAJME » “Lonely Planet”: “Bunk’art 2” dokumenton persekutimin politik në Shqipëri
“Lonely Planet”: "Bunk’art 2" dokumenton persekutimin politik në Shqipëri

“Lonely Planet”: “Bunk’art 2” dokumenton persekutimin politik në Shqipëri

Vetëm pak ditë pas hapjes së muzeut “Bunk’art 2” në Tiranë, agjencia e njohur në promovimin e turizmit në botë, “Lonely Planet” i ka kushtuar një artikull të gjatë, të atij që ajo e cilëson si një muze që hedh dritë mbi persekutimin politik të epokës komuniste shqiptare. “Ky bunker topsekret, i ndërtuar ndërmjet viteve 81’- 86’, kishte për qëllim që të bëhej mburojë dhe vend fshehje për zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme, në rast të një sulmi bërthamor. Tashmë ai dokumenton foto dhe histori që tregojnë për persekutimin politik. Muzeumi është krijuar gjithashtu edhe si një memorial për të nderuar mijëra persona që u burgosën dhe u ekzekutuan nga regjimi komunist” shkruan ndër të tjera “Lonely Planet”.
Ndërtimi i “Bunk’Art 2” ka provokuar një përplasje të fortë mes maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë. Kjo e fundit ka reaguar me ashpërsi duke e cilësuar ndërtimin si një nostaligji për regjimin komunist të Enver Hoxhës, nga ana e pasardhësve të tij në pushtet. Pak kohë më parë ndërsa muzeu po ndërtohej, opozita organizoi një protestë e cila degjeneroi në dhunë ndaj bunkerit që është dhe hyrja e këtij muzeu që gjendet pranë ministrisë së brendshme shqiptare. Por kryeministri Rama ka deklaruar se muzeu “Bunk’art 2” ka mision kujtesën dhe jo nostalgjinë, ndërsa ka shprehur besimin se ai do të jetë një atraksion i rëndësishëm turistik.