KRYEFAQJA » LAJME » Lot dhe politikë në cermoninë e Simon Gjetës
Lot dhe politikë në cermoninë e Simon Gjetës

Lot dhe politikë në cermoninë e Simon Gjetës

Shqipëria përcolli mes dhimbjes dhe respektit të pakufishëm për në banesën e fundit Dëshmorin e ri të Atdheut Simon Gjeta. Komandanti i grupit të FNSH në Shkodër, i cili u nderuar së fundit nga presidenti me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, u vra mbrëmjen e të shtunës, gjatë një aksioni për të kapur një person me rrezikshmeri të lartë kriminale në Oblikë.

Cermonia e dhimshme mortore u organizua në Akademinë e Rendit nga ku Simon Gjeta kish nisur rrugën e vështirë të përballjes me krimin. Krerët e politikës si zakonisht të pranishëm në këto raste, vec ngushëllimeve shprehën edhe konsiderata politike. Në fokus u vu gjyqësori shqiptar, i cili sipas ministrit të brendshëm Saimir Tahiri i lë të lirë kriminelët: “Çfarë ndëshkimi merituar merr krimi kur punonjësit e drejtësisë janë përballë me persona që drejtësia nuk i dënon, por i lë të lirë po aq herë? Simoni humbi jetën po shumë të tjerë janë të kërcënuar përditë me jetën e tyre dhe akoma më shumë me shpirtin dhe besimin nga drejtësia që jep tepër rrallë ndëshkimin e merituar” tha ministri Tahiri.
Kreu i parlamentit Ilir Meta, tha se sakrifica sublime e Simon Gjetës nuk do të harrohet. “Është njerëzore dhe detyrim të jemi sot së bashku, por është më e rëndësishme të bashkohemi në luftën ndaj së keqes. Të ndalim këtë hemoragji që kërcënon sigurinë dhe të ardhmen e vendit dhe fëmijëve tanë” tha zoti Meta. Ai bëri thirrje për të realizuar reformën në drejtësi, “në mënyrë që drejtësia të jetë shembullore ndaj gjithë kriminelëve e shkelësve të ligjit”.
Kryeministri Edi Rama, tha se sakrificën e Simon Gjetës, do të shërbejë për të çuar përpara “rilindjen e Policisë së Shtetit”. “Policia do të rritet dhe do t’i këpusë të gjitha fijet politike, ekonomike, financiare dhe mbi të gjitha gjyqësore që e kanë ushqyer e vazhdojnë ta ushqejnë krimin. Fitorja në luftën ndaj krimit dhe rivendosja e pozicioneve natyrale mes shtetit dhe krimit është sa e vështirë, aq edhe e sigurtë dhe sot ka një arsye më shumë që është po aq e thjeshtë, sa ishte e thjeshtë jeta e Simon Gjetës” tha zoti Rama.
I pranishëm në cermoni ishte dhe kreu i PD të opozitës Lulzim Basha. Duke garantuar se Partia Demokratike ka qenë dhe do të jenë gjithmonë në krah të policisë shqiptare zoti Basha u zotua se ajo të luftojë për “Shkëputjen totale të çdo lidhje kriminale me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme”.