KRYEFAQJA » LAJME » LSI vendos të publikojë on line bilancin e saj
6 nëntor, LSI shkon në zgjedhje

LSI vendos të publikojë on line bilancin e saj

LSI, partia e dytë më e madhe e koalicionit të majtë në pushtet, ka vendosur të publikojë online të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e saj. Lajmi u bë i ditur të martën në një konferencë për shtyp nga sekretari i përgjithshëm i saj Luan Rama. “Nga ky moment në faqen online të LSI-së kemi hapësirën e posaçme ku shfaqen të dhënat që kanë të bëjnë me buxhetin e partisë. E gjithë dinamika e lëvizjeve financiare, të ardhurat që vijnë nga buxheti për shkak të të qenit parti parlamentare, kuotat e antarëve apo kontributet e simpatizantëve të partisë, do të publikohen të detajuara online” tha zoti Luan Rama. Sipas tij vendimi është marrë nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në emër të transparencës, por edhe vendosjes së një standardi të ri. LSI e konsideron çështjen e transparencës së fondeve me të cilat mbahen dhe funksionojnë partitë politike, si mjaft të ndjeshme në publik. “Çdo aktivitet apo veprimtari publike do të jetë në sytë e publikut edhe sa i përket anës financiare, jo më vonë se dy ditë nga mbajtja e akitivitetit. Kjo është e vlefshme edhe për LRI-në dhe LGI-në” tha sekretari i përgjithshëm i LSI Luan Rama. “Me këtë nismë, thjeshtë vendosëm një standard demokratik” nënvizoi ai.
Të ardhurat dhe shpenzimet e partive shqiptare, vazhdimisht kanë qenë në qendër të debateve, vecanërisht në kohën e fushatave zgjedhore. Vazhdimisht është hedhur hija e dyshimit për fonde të errta në financimin e partive shqiptare. Me hapin e hedhur LSI shënohet si e para parti shqiptare që vendos të publikojë on line bilancin e saj.