KRYEFAQJA » LAJME » Lu dhe Vlahutin mbi dy orë me opozitën: Reforma në drejtësi do të kryhet!
BE dhe SHBA: Më 11 gusht miratoni 7 ligjet

Lu dhe Vlahutin mbi dy orë me opozitën: Reforma në drejtësi do të kryhet!

Për më shumë se dy orë ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e delegacionit të BE Romana Vlahutin, kanë biseduar të martën me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Në përfundim të saj diplomatët e lartë deklaruan se biseda ishte kostruktive dhe se presin që politika shqiptare t’i përgjigjet mbështetjes së madhe të ndërkombëtarëve përmes përmbylljes sa më të shpejtë të Reformës në Drejtësi. “Unë përfaqësoj një vend që më shumë se 100 vite ka luftuar për të mbajtur një Shqipëri sovrane, dhe në 25 vitet e shkuara kemi punuar për të arritur gjëra të mëdha. PD ka luajtur një rol vendimtar në historinë postkomuniste të Shqipërisë. Presim që kjo të vazhdojë në kontekstin e reformës në drejtësi” tha zoti Lu. Ambasadorja Vlahutin tha se “Sqaruam disa çështje që nuk ishin të qarta më parë, por çfarë është më e rëndësishme është se në të gjithë kemi rënë dakord që jemi partnerë e aleatë të Shqipërisë dhe në ditët në vijim të gjithë energjitë tona t’i vendosim që kjo reformë të kryhet”.
Ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se kushti i vetëm i PD-së është një reformë që garanton moskapjen politike të drejtësisë. “Reforma mund të zgjase edhe mund të moszgjasë, rëndësi ka cilësia e produktit” tha ai. Si dhe më parë zoti Basha e hodhi përgjegjësinë për vonesën tek maxhoranca e majtë. “Tejkalimi i frikës së Ramës do të ndodhë me hir ose me pahir. Se Shqipëria do të ketë një drejtësi të reformuar me gjyqtarë të aftë të hetojnë nga kryeministri i vendit deri tek zyrtari më i fundit, të aftë ti cojnë para drejtësisë dhe të aftë ti dënojnë. Ky është standardi europian, ky është standardi i PD” këmbënguli me deklaratat e tij zoti Basha.
Në takimin e sotëm ra në sy mungesa e ish kryeministrit dhe ish kreut të PD Sali Berisha, si dhe largimi parakohe nga mbledhja i ish kryetares së parlamentit Jozefina Topalli, kundërshtare e pranisë së ambasadorëve Lu dhe Vlahutin në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Por ndërsa mungesa e zotit Berisha është justifikuar nga bashkëpunëtorët e tij se ka patur takime intensive me zotin Lu dhe zonjën Vllahutin gjatë ditëve të fundit, largimin e saj zonja Topalli e ka justifikuar me deklaratën se “Nuk prisja që takimi në grup me ambasadorët të zgjaste 90 minuta”.