KRYEFAQJA » LAJME » Lu dhe Vlahutin, pas takimeve me PS dhe LSI, sot takimi me PD
Lu dhe Vlahutin, pas takimeve me PS dhe LSI, sot takimi me PD

Lu dhe Vlahutin, pas takimeve me PS dhe LSI, sot takimi me PD

Presioni i ndërkombëtarëve ndaj politikës shqiptare për t’a detyruar të miratojë Reformën në Drejtësi, vazhdon me intensitet të lartë. Në një lëvizje të pazakontë dhe që ka ngjallur jo pak diskutime, ambasadorët e SHBA dhe BE, Lu dha Vlahutin kanë qenë të martën ballë për ballë grupeve parlamentare të PS dhe LSI, dy partike kryesore qeverisëse. “Ne pranojmë që është e pazakontë që Ambasadorët e huaj të takohen me grupet parlamentare” tha ambasadori Lu. “Mendojmë se jemi në një udhëkryq të pazakontë për reformën në drejtësi, i cili kërkon komunikim të pazakontë dhe vullnet politik. Prania ime sot këtu është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për Qeverinë e SHBA” argumentoi ai hapin e hedhur së fundi.
“Ne jemi këtu në të vërtetë që Shqipëria të arrijë standartet e nevojshme për Bashkimin Europian dhe që të çelen negociatat për tu arritur anëtarësimi në BE. Jemi të angazhuar në një dialog si miq dhe partnerë. E drejta sovrane e deputetëve që të votojnë në parlament është një e drejtë e tyre, sovranitet që atyre ua kanë dhënë zgjedhësit shqiptarë kur i kanë votuar. Kjo është një gjë të cilën ne e respektojmë plotësisht dhe kurrë nuk do ta pengonim këtë gjë apo të ndërhynim” spjegoi nga ana e saj ambasadorja e BE Vlahutin.
Për kreun dhe kryeministrin socialist Edi Rama “Ambasadorët i bien pragut të dëgjojë dera dhe dera nuk është këtu”. “Ne këtu jemi krejtësisht të hapur dhe tërësisht në mbështetje për të realizuar reformën në drejtësi” tha ai. Por rreth zhvillimit të minutave të fundit, kushtit të demokratëve për miratimin e reformës zgjedhore njëkohësisht me reformën në drejtësi, zoti Rama tha se “…reformat nuk mund të kushtëzohen me asgjë”. “Janë gjëra të ndryshme dhe janë gjëra të ndara. Reforma në drejtësi do të ndihmojë edhe zgjedhjet” tha ai.
Petrit Vasili, një zyrtar i Lartë i LSi tha pas takimit me dy ambasadorët se kjo “Është një ndihmë e jashtëzakonshme, e drejtpërdrejtë, konkrete dhe monitoruese e vazhdueshme për të kaluar dhe ato ngërçe dhe mosbesime politike, që kanë qenë karakteristike në politikën shqiptare”.
Të mërkurën pritet me interes takimi i ambasadorëve me grupin parlamentar të PD. Brenda këtij grupi ka patur reagime mjaftë të forta për praninë e zotit Lu dhe zonjës Vlahutin.