KRYEFAQJA » LAJME » Lu paralajmëron: Pasoja negative nga SHBA për ata që nuk votojnë reformën
Lu paralajmëron: Pasoja negative nga SHBA për ata që nuk votojnë reformën
Foto USA Embassy

Lu paralajmëron: Pasoja negative nga SHBA për ata që nuk votojnë reformën

Ambasadori amerikan në Tiranë zoti Donald Lu, ka paralajmëruar se mosmiratimi më 21 korrrik nga parlamenti shqiptar i Reformës në Drejtësi, do të ketë pasoja negative nga SHBA. Zoti Lu i bëri deklaratat në prani të disa qytetarëve të Tiranës të cilët po kërkonin para parlamentit miratimin e reformës, ndërsa shprehnin pakënaqësinë që politika po i mban peng. “Pas 18 muaj negociata, disa prej tyre treguan se nuk duan marrëveshje. Rama u dorëzua, dha atë që donte Basha, 6 me 6, por edhe kjo nuk mjaftoi” tha zoti Lu. Ai shprehu hapur pakënaqësinë për qëndrim e opozitës dhe liderit të saj. “Ata s’mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësime, kjo është e çuditshme! Më 19 maj Basha na tha se të huajt do ta pastronin peshkun nga koka, ua tha këtë edhe deputetëve të PE. Tani papritur ndryshon qëndrim” tha zoti Lu.  Ambasadori i SHBA në Tiranë ka paralajmëruar me “pasoja negative” nga SHBA për ata që votojnë kundër Reformës në Drejtësi. “Njerëz të fuqishëm kanë frikë nga kjo reformë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative, për ata udhëheqës që votojnë kundër kësaj reforme…Ju sigurojë se pasojat do të jenë të rënda dhe afatgjata dhe këtë e kam porosi nga Uashingtoni” tha  ambasadori Donald Lu.

 Fjala e plotë e Ambasadorit Amerikan:

Dje, pas takimit të shkurtër midis Z. Rama, Z. Meta dhe Z. Basha, ekspertët tanë u takuan për 8 orë negociatash deri në orën 2 të mëngjesit. Por nuk arritën dot një marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje?” Pse? Për shkak? Është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje.

Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen. Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6. Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve. Epo kjo është e çuditshme.

Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre. Përse?

Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni.

Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata. Gjatë ditëve të fundit jam takuar me dhjetëra deputetë, nga të gjitha partitë politike. Jam i bindur se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë. Të gjithë e duan këtë reformë.

Pyetja është nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është e gjëja e duhur për Shqipërinë, apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e partive të tyre politike. Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm. Burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë. Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë!