KRYEFAQJA » LAJME » Lu: Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për BKH të pavarur dhe të paepur
Lu: "Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi anti-korrupsion të pavarur dhe të paepur"

Lu: Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për BKH të pavarur dhe të paepur

Ambasadori amerikan Donald Lu, vazhdon të flasi shqip sa herë kërkon të përçojë mesazhe të rëndësishme për shqiptarët, veçanërisht politikanëve shqiptarë. “U kërkoj atyre në të djathtë dhe në të majtë që të bien dakort se BKH është një institucion jetik për anti-korrupsionin në Shqipëri” tha zoti Lu gjatë një takimi për partneritetin për qeverisjen e hapur, gati në të njëjtën kohë kur maxhoranca dhe opozita kishin rënë dakord për varësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke i dhënë fund një ngërç disa mujor. Zoti Lu tha se modeli i funksionimit të saj do të mbështetet nga FBI amerikane për të arrestuar “Të Paprekshmit” shqiptarë, sikurse u shpreh ai.”Ne kemi vënë mënjëanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve, trajnimi i tyre do të zhvillohet në akademinë e  FBI-së” tha ambasadori amerikan në Tiranë. Sipas tij një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave, njohur ndryshe si testi i poligrafit. Llogaritë e tyre bankare do të mbikqyren për tu siguruar që ata nuk po marrin rryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar, spjegoi zoti Lu. “Të sigurohemi që Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi anti-korrupsion të pavarur dhe të paepur” këmbënguli në shqip ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu.