KRYEFAQJA » LAJME » Lu thirrje parlamentit: Nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën!
Lu thirrje parlamentit: Nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën!

Lu thirrje parlamentit: Nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën!

Afrimi i 21 korrikut, data e parashikuar për votimin e Reformës në Drejtësi në parlamentin shqiptar, duket se i ka shtyrë ndërkombëtarët, veçanërisht ambasadorin amerikan në Tiranë, të rriti presionin ndaj partive politike për të arritur konsensusin. Ndërsa një javë më para në tryezat e deputetëve ambasada amerikane vuri projektin që duhej votuar, të enjten u bë publike përmbajtja e një letre që ambasadori Donald Lu, u ka dërguar ligjvënësve shqiptarë. “Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro Reformës në Drejtësi” shkruan zoti Lu pas një parashtrimi të gjatë të situatës. “Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo reformë është jetime për të ardhmen e vendit tuaj” vlerëson ai. Edhe në këto momente kur palët po debatojnë sërish, zoti Lu shkruan se “…ka ende kohë që udhëheqësit politikë të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu edhe nga maxhoranca. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin për kompromis”. Por ambasadori amerikan shkon akoma më tej “Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën” bën thirrje ai.

Letra e plotë e ambasadorit amerikan Donald Lu

Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë aleati juaj strategjik në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare. Sot, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë suaj dhe dobësojnë aleancën tonë. Si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurt.

Prej gati dy vitesh kemi punuar në mbështetje të përpjekjeve tuaja për të reformuar sistemin tuaj të drejtësisë. Gjithashtu, kemi punuar në mënyrë konsekuente për tu siguruar që si zërat e opozitës, ashtu edhe të maxhorancës të kenë kontribuar në këtë reformë.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi miratoi projekt reformën më 14 qershor. Votimi i plotë në Kuvend është planifikuar për datën 21 korrik. Tani është koha për të marrë një vendim.

Çështja e fundit

Përgëzojmë punën e bërë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, si nga anëtarët e maxhorancës, ashtu edhe të opozitës. Si rezultat i punës së madhe dhe profesionalizmit të tyre, kanë krijuar një projekt që është më i mirë, më legjitim dhe më i pranuar më gjerësisht sesa projekti fillestar i ekspertëve të paraqitur në muajin shtator. Ky mbështetet si nga qeveria dhe nga opozita, me përjashtim të një çështjeje- kërkesës së opozitës për vendet e rezervuara.

Më e rëndësishmja, projekti i 14 qershorit i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet europiane. Shtetet e Bashkuara dhe BE e kanë mbështetur këtë projekt. Kemi dëgjuar gjithashtu shqetësimet për paragrafin 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisioni të Venecias.

Sugjerojmë që ndërsa merrni në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, të lexoni që të dy paragrafët, si 61 dhe 88. Paragrafi 88 është një përmbledhje e të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Zgjedhja e komisionerëve të vlerësimit (vettingut) diskutohet më në hollësi në paragrafin 61. Për të përftuar një kuptim më të plotë mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias ia vlen të lexohen të dy.

Sistemet proporcionale

Të dy paragrafët vërejnë se qeveria dhe opozita e kanë të vështirë të bien dakord për shumicën e cilësuar me 3/5 apo 2/3 e votave për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve. Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara.

Në fakt, ka një sërë sistemesh proporcionale, përfshi votën e vetme të transferueshme, votimin e balotazhit të menjëhershëm, votimin e shumëfishtë, eliminimin dhe votimin Kondorse. Secili prej këtyre sistemeve do të ishte tërësisht në përputhje me Komisionin e Venecias.

Shtetet e Bashkaura dhe Bashkimi Europian i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do ti etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do ta minonte këtë besim. Kemi vazhduar ta nxisim si qeverinë ashtu edhe opozitën të gjejnë një kompromis që është në përputhje me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe që do të shmangte etiketimin politik të anëtarëve të komisionit të vetingut.

Koha për të marrë një vendim

Së fundmi, ka ende kohë që udhëheqësit politikë të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu edhe nga maxhoranca. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin për kompromis. Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën. Paragrafi 87 (bashkëngjitur) i raportit të Komisionit të Venecias thotë se projekti i tanishëm i reformës është një propozim koherent e i shëndoshë dhe se është në përputhje me standardet evropiane.

Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo reformë është jetime për të ardhmen e vendit tuaj. Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro reformës në Drejtësi.

Sinqerisht

Donald Lu