KRYEFAQJA » LAJME » Lu thirrje të rinjve: “Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”
Lu thirrje parlamentit: Nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën!

Lu thirrje të rinjve: “Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”

Komuniteti ndërkombëtar ka rritur më tej presionin ndaj politikës shqiptare për të miratuar më 21 korrik në parlament Reformën në Drejtësi. Një prej përfaqësuesve kryesorë të këtij komuniteti, ambasadori amerikan në Tiranë Donal Lu, duket se ka gjetur një mënyrë krejt origjinale për të detyruar politikën shqiptare të miratojë këtë reformë. Ai i ka bërë thirrje brezit të ri të Shqipërisë ti bëjë presion politikës. Në një mesazh të botuar në Fejsbuk “Një thirrje për brezin e ri të Shqipërisë” zoti Lu shkruan: “Unë kam një kërkesë për brezin e ri të shqiptarëve. Ju bëj thirrje të gjithëve që t’u thoni udhëheqësve që ju keni votuar se e doni këtë reformë. Shkruajini një letër. Bëni postime në median sociale. Flisni me miqtë tuaj” shprehet zoti Lu.
Duke ju referuar edhe zhvillimeve të fundit, takimeve të udhëheqësve politikë për të arritur kompromis, ambasadori Lu shkruan se “Është e vërtetë që Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”, kujton ambasadori Lu. “Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Politikanët nuk është e thënë të marrin idetë dhe sugjerimet tona, por ata duhet ta gjejnë kompromisin” shton më tej ai.
Në mesazhin e tij ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu nuk nguron të parashtrojë dhe arsyet e këtij ngurimi. “Ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje” shkruan ai. “Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur! Çdo udhëheqës politik partiak, çdo deputet i Kuvendit dhe çdo i ri e di se populli i Shqipërisë e mbështet në shumicën dërrmuese reformën në drejtësi. Cilët janë këta udhëheqës partish politike që i thonë popullit shqiptar se nuk mund ta ketë këtë reformë? pyet ambasadori amerikan. Mesazhin e tij ambasadori Lu e mbyll me thirrje drejtuar brezit të ri: “Vota e 21 korrikut do të përcaktojë drejtimin e vendit. Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Thuajuni atyre se doni që Shqipëria të jetë një demokraci ku zërat tuaj do dëgjohen dhe ku ju do të trajtoheni në mënyrë të drejtë dhe me respekt” shkruan ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu.