KRYEFAQJA » LAJME » Lu: Tramp bashkëpunim me Shqipërinë si Bushi dhe Obama

Lu: Tramp bashkëpunim me Shqipërinë si Bushi dhe Obama

Shpallja e rezultatit të votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ndoq drejtpërdrejtë edhe në Tiranë, falë një ceremonie të organizuar nga Ambasada Amerikane në formën e një mëngjesi informativ. Të pranishëm me këtë rast ishin edhe presidenti i republikës Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile, të organizatave joqeveritare dhe përfaqësues të medias.
Të gjithë ndoqën rezultatin hap pas hapi deri në momentin kur Donald Trump u shpall presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu u shpreh me këtë rast për vazhdimësi në bashkëpunimin amerikano-shqiptar. “Kemi pasur një traditë në përgjithësi për Ballkanin dhe veçanërisht për Shqipërinë, një traditë që politika e jonë e Jashtme është konseguente pavarësisht kush është në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i ri Trump, do të ruajë pa dyshim të njëjtin bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë që kanë gëzuar presidentët Bush dhe Obama” tha zoti Lu.
Në të njëjtën linjë deklarimesh ishin edhe presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani për të cilin Shtetet e Bashkuara mbeten aleati strategjik i Shqipërisë.”Jam i bindur se edhe këto zgjedhje do të sjellin një impuls të ri të mëtejshëm në vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në marrëdhëniet me Shqipërinë ne do të kemi një forcim dhe një rritje të nivelit të bashkëpunimit të partneritetit dhe miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes administratës së presidentit të zgjedhur, Donald Trump” tha presidenti Nishani.
I pranishëm në mëngjesin informativ të organizuar nga ambasada amerikane kryetari i PD të opozitës, zoti Lulzim Basha, i cili e cilësoi fitoren e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara”…një mesazh veçanërisht i çmuar në këto ditë të errta për demokracinë shqiptare. Eshtë një mesazh kuptimplotë që kam besim të madh se do të frymëzojë edhe këtu, në Shqipëri, një bashkim të qytetarëve me besim të madh te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund dhe nuk do të mposhtet nga asnjë makinacion” tha zoti Basha. “Populli amerikan ka vendosur. Urimet më të përzemërta presidentit të zgjedhur, Donald Trump, dhe jam i bindur që zgjedhje e tij dhe marrja e detyrës nga ana e tij në muajt e ardhshëm do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës” u shpreh kreu i opozitës shqiptare.