KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Luçi: Kredia e BB nuk rrit borxhin

Luçi: Kredia e BB nuk rrit borxhin

Kredia prej 100 milionë dollarësh që Banka Botërore njoftoi se i ka akorduar ditët e fundit Shqipërisë, nuk shton borxhin publik. Në një intervistë për RTSH, zëvendësministri i financave Erion Luçi, sqaron se huaja me terma të butë është dhënë si mbështetje buxhetore pas miratimit të një sërë ligjesh që fuqizojnë sistemin financiar. Ai thotë se “Do të përdoren për të gjitha ato investime publike që që janë përmendur gjatë diskutimeve të buxhetit të shtetit, por edhe shpenzime të tjera të rëndësishme”.

Zoti Luçi hedh poshtë pretendimet se kjo kredi rrit nivelin e borxhit publik. “Jo, nuk ndikon në rritjen e boxhit publik, sepse borxhi publik është përcaktuar në ligje të veçanta të buxhetit të shtetit. Një pjesë e borxhit aktual rinovohet dhe kjo kredi përdoret për këtë qëllim” spjegon zoti Luçi.

Një ditë më parë bordi i Bankës Botërore miratoi kredinë 100 milionë dollarë si mbështetje buxhetore për Shqipërinë, pasi vendi përmbushi disa masa ligjore në sistemin financiar, të cilat Bankës Botërore i vlerësonte si kritikë për të ulur rreziqet për ekonominë, por edhe për të mbështetur rritjen e saj.