KRYEFAQJA » LAJME » Luçi: Nuk ka ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat
Luçi: Nuk ka ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat

Luçi: Nuk ka ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat

Ministria shqiptare e financave ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë ndryshim në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, ndërsa ka paralajmëruar se do të marrë masa shtesë për parandalimin e evazionit fiskal. Deklarata në emër të kësaj ministrie është bërë të dielën nga zv.ministri i Financave, Erjon Luçi, ndërsa ditët e fundit ka patur komente të tensionuara rreth egzistencës së një drafti i cili parashikonte rritjen e tatimit mbi të ardhurat edhe për pagat e ulta. Ligji aktual përjashton nga tatimet pagat deri në 30 mijë lekë në muaj. “Nuk ka ndryshim në skemën e tatimit e të ardhurave personale dhe nuk ka asnjë plan për ndonjë ndryshim të mundshëm në këtë drejtim” tha zoti Luçi. Sipas tij “Reforma përsa i përket politikës të taksave tashmë ka përfunduar në përputhje me premtimin elektoral dhe programin e qeverisë”. Megjithatë numri dy i financave shqiptare pranoi egzistencën e një drafti paraprak. “Po diskutohet me nivelin teknik jo me nivelin e vendimmarrjes politike” tha zv.ministri i Financave, Erjon Luçi. Duke ju referuar masave shtesë për parandalimin e evazionit fiskal, i cili pranohet se është bërë mjaftë shqetësues, zyrtari i lartë i ministrisë së financave tha se “Në mes të korrikut janë mobilizuar 500 punonjës të ri për parandalimin e evazionit fiskal. Një paketë masash do të propozohet shumë shpejt”.
Opozita nga ana e saj ka sulmuar ashpër qeverinë duke thënë se ajo me masat që ka marrë ka thelluar më shumë varfërinë tek popullata. Ajo vazhdon të bëjë thirrje për uljen e tatimeve dhe taksave si e vetmja mënyre për të ndryshuar situatën. Dy vite më parë pas ardhjes së socialistëve në pushtet, pati një debat të ashpër me vendimin e tyre për heqjen e taksës së sheshtë prej 10 për qind dhe vendosjes së taksës progresive. Lideri socialist Edi Rama tha se me vendosjen e kësaj takse 95 për qind e familjeve shqiptare kanë përfituar, por opozita thotë se një gjë e tillë ka varfëruar shqiptarët.