KRYEFAQJA » LAJME » Lufta kundër kanabisit, PD dhe Policia përplasen për Luginën e Lumit të Vlorës
Salianji: Lugina e Lumit të Vlorës është kthyer në Luginën e Kanabisit

Lufta kundër kanabisit, PD dhe Policia përplasen për Luginën e Lumit të Vlorës

Partia Demokratike e opozitës ofroi të premten pamje nga ajri, që sipas saj ishin regjistruar në luginën e Lumit të Vlorës, e cila ajo thotë se është shndërruar, në Luginën e Kanabisit. Edvin Salianji sekretari i PD, duke komentuar pamjet tha se “Kjo është dëshmia e mbulimit të vendit me drogë, e rritjes së përditshme të këtij biznesi kriminal, që drejtohet nga Saimir Tahiri”. “30 përqind e fitimit të çdo bime të mbjellë, ndahet mes shefave të policisë dhe Tahirit. Ky është pazari që garanton mbjelljen, rritjen, korrjen dhe transportin e drogës” dha hollësi zoti Salianji. Duke e implikuar ministrin Tahiri, zoti Salianji tha se “Kjo është dëshmia e gjallë e krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim”. “Partia Demokratike do të vendosë rendin e sigurinë në vend, do të shtypë trafikun e trafikantët e drogës, do të çrrënjosë lidhjet e politikës me krimin” premtoi zyrtari i PD.

Por nga ana e saj policia shqiptare thotë se  “Pamjet që u transmetuan sot nga PD janë filmuar nga vetë Policia e Shtetit si pjesë e punës intensive për dosjen hetimore përkatëse”. Por ajo ka paralajmëruar se” kanë nisur verifikimet dhe do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore e penale të gjithë punonjësit e policisë, të cilët kanë nxjerrë sekretin hetimor, duke ekspozuar detaje të një dosje në hetim”.