KRYEFAQJA » LAJME » Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, qeveria shqiptare nënshkruan me FBI
Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, qeveria shqiptare nënshkruan me FBI

Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, qeveria shqiptare nënshkruan me FBI

Qeveria shqiptare dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve në SHBA) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Firmat në këtë dokument u hodhën nga ministri i brendshëm shqiptar Saimir Tahiri dhe Drejtori i FBI James Comey, në prani të kryemistrit shqiptar Edi Rama. Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji nënshkruar nga një Ministër i Brendshëm në të gjithë historinë e marrëdhënieve ndërmjet Policisë së Shtetit dhe FBI-së.  Qëllimi i kësaj marrëveshjeje dypalëshe, sikurse bëhet e ditur nga autoritetet shqiptare, është nxitja e shkëmbimit të informacionit për verifikimin e të dhënave në luftën kundër terrorizmit me synim fuqizimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terroriste. Marrëveshja parashikon që palët të caktojnë një ose më shumë pika kontakti mes tyre. Për palën shqiptare, pikë kontakti do të jetë Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ndërsa për palën amerikane do të jetë TSC (Terrorism Screening Center).
Nëshkrimit të marrëveshjes i parapriu një takim mes kreut të FBI Comey dhe kryeministrit Rama. Sipas njoftimeve nga ky takim qeveria shqiptare mori vlerësimet e Drejtorit të FBI për luftën e deritanishme kundër krimit, terrorizmit dhe korrupsionit si dhe reformat e ndërmarra në sektorin e sigurisë. Drejtori i FBI u angazhua të ndihmojë Policinë e Shtetit në mënyrë të veçantë për trajnimin e punonjësve të policisë shqiptare në akademinë e FBI-së, për trajnimet e vazhdueshme të hetuesve shqiptarë si dhe për përmirësimin e infrastrukturës hetimore. Gjithashtu Drejtori i FBI u angazhua të ndihmojë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturën, burimet njerëzore dhe kapacitetet hetimore të saj, si njësi shumë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.