KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Luftime të reja në rajonin separatist të Nagorni-Karabakut
Luftime të reja në rajonin separatist të Nagorni-Karabakut

Luftime të reja në rajonin separatist të Nagorni-Karabakut

Luftime të reja janë raportuar gjatë natës midis forcave azerbajxhanase dhe atyre armene, pas konfliktit që rifilloi mes dy vendeve në rajonin separatist të Nagorni-Karabakut mbrëmjen e së premtës. Mediat bënë të ditur se trupat e të dyja palëve kanë përdorur armatime dhe artileri të rënda. Gjatë ditës së shtunë është shënuar një numër prej 30 viktimash mes forcave ushtarake, por edhe mes civilëve. Rajoni Nagorno-Karabak ka qenë në duart e separatistëve etnike armene që nga përfundimi i luftës me Azerbajxhanin në vitin 1994.  Ministria e mbrojtjes së Azerbajaxhanit dhe ajo e republikës së vetëshpallur të Nagorni Karabakut kanë njoftuar se situata mbetet e tensionuar në front. Luftimet mes paleve u shënuan fillimisht në fund të viteve 1980, dhe u përshkallëzuan në vitin 1991, pas rënies së Bashkimit Sovietik, duke shkaktuar të paktën 30 mijë viktima. Një armëpushim u mundësua vetëm në vitin 1994, por progresi i bisedimeve të paqes mes dy vendeve u bllokua pas takimit të liderit armen me atë azerbajxhanas në vitin 2009. Pas kësaj, janë raportuar dhunime të vazhdueshme të armëpushimit.