KRYEFAQJA » LAJME » Luhen ndeshjet e turit të tretë eleminator të UEFA Champions League

Luhen ndeshjet e turit të tretë eleminator të UEFA Champions League

Krahas ndeshjes Partizani-Red Bull Salzburg ditën e djeshme, janë zhvilluar dhe ndeshjet e tjera të vlefshme për turin e tretë eleminator të Uefa Champions League. Shakhtar Donetsk dhe Dinamo Zagrebit kanë prenotuar në njëfarë mënyre fazën e playoff-it të Uefa Champions League. Në ndeshjen e parë ukrainasit fituan 2-0 ndaj zviceranëve të Young Boys. Ai që çeli serinë e golave ishte Bernard në minutën e 27-të, ndërsa dyfishimi i rezultatit erdhi në minutën e 75-të nga ana e Seleznev, ndërkohë që zviceranët luanin me 10 futbollistë pas daljes me karton të kuq të Vilotic. Edhe Dinamo Zagrebit fitoi me të njëjtin rezultat ndaj gjeorgjianëve të Dinamos së Tbilisit. Golat për kroatët u shënuan nga Soudani dhe Coric në minutën e 39-të dhe 42-të të pjesës së parë. Vuan Ajaxi i cili nuk shkon më shumë se barazimi 1-1 ndaj Paokut të Selanikut. Në Amsterdam Arena, Dolberg shpëton të zotët e shtëpisë duke barazuar shifrat pas golit të shënuar nga Campos për grekët. Sparta e Pragës ka barazuar 1-1 në shtëpi ndaj rumunëve të Steauas së Bukureshtit. Në barazim, por pa gola u mbyll dhe sfida mes Viktoria Plzen dhe Qarabaghut të Ansi Agollit i cili luajti për 79 minuta lojë si titullar. Në sfidat e tjera Bate Borisov fitoi 1-0 ndaj irlandezëve të Dundalk,rusët e Rostov barazuan 2-2 me belgët e Anderlehtit. Po në barazim 2-2 përfundoi dhe sfida mes bullgarëve të Ludogorets dhe serbëve të Crvena Zvezdes. Ndërkohë sot do të luhen 6 ndeshje të tjera, ku bie në sy përballja mes Fenerbahces dhe Monacos në orën 20:30.