KRYEFAQJA » LAJME » Lunaçek në Kosovë
Lunaçek në Kosovë

Lunaçek në Kosovë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulricke Lunaçek, është përfshirë në debatet e nxehta mes maxhorancës dhe opozitës së atjeshme. Duke folur të mërkurën në Prishtinë, zonja Lunaçek tha se nëse Gjykata Kushtetuese  vendos se jo gjithçka në marrëveshjen për asociacionin është në përputhje me Kushtetutën, atëherë duhet të ndryshojë. Ajo tha se “një pjesë të marrëveshjes e shoh problematike”. “Nëse thuhet se anëtar i këtij asociacioni duhet të jetë vetëm serb, atëherë nuk e shoh në rregull në një vend që ka përcaktim multietnik. Prandaj besoj që rinegocimi duhet të zërë vend”, tha zonja Lunacek.
Ajo i kërkoi opozitës kosovare që të mos përdorë dhunën por t’i rikthehet debatit dhe gjuhës së argumenteve. “Opozita të mos përdorë mjete të dhunës për të cilat kam thënë edhe më parë se përdorimi i gazit lotsjellës dhe përdorimi i vezëve duhet të shmanget në Parlament…Mendoj që parlamenti është vendi për debat dhe argumentim”, tha zonja Lunacek.
Duke u ndalur tek tema e liberalizimit të vizave raportuesja në PE tha se “nuk është plotësisht e sigurt se viti i ardhshëm do t’iu sjell qytetarëve të Kosovës përfundimisht liberalizimin e vizave”, kjo si pasojë e numrit të madh të azilkërkueseve në shtetet e BE-së dhe të valës së fundit të migrimit nga Kosova. Zonja Lunaçek porositi institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bëjnë gabime, të cilat më pastaj do të lëkundnin qëndrimin e ministrive të brendshme të shteteve anëtarëve të BE-së për t’i thënë po liberalizimit të vizave për Kosovën.