KRYEFAQJA » LAJME » Lunaçek: Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës

Lunaçek: Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, u shpreh se është e sigurt që Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian nëse së pari nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. “Unë jam një nga pak politikanët e lartë të BE-së që ngul këmbë se njohja e Kosovës është kusht për Serbinë”, tha Urlike Lunaçek, në një forum të shoqërisë civile në Beograd. Meqe jam raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, shumë njerëz mendojnë se jam armike e Serbisë. Përkundrazi jam dashamirëse dhe besoj se Serbia ka bërë përparim të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, tha zonja Lunacek. “Por anëtarësimi i Serbisë në BE do të bllokohet, jo për arsye të vërejtjeve të saj, por për shkak të përvojës së Bashkimit Evropian me Qipron”, shtoi ajo duke sugjeruar se kjo gjendje mund të ndodhë edhe me Serbinë. Në takim, politikania austriake tha edhe se ekziston një rrezik që BE-ja ta humbasë Ballkanin Perëndimor për shkak të ngurrimit të zgjerimit, një dukuri që ka të bëjë këto vite me vetë Bashkimin Evropian dhe jo me Ballkanin.