KRYEFAQJA » LAJME » Lushnje: Rama me fermerët për ujitjen dhe financimin e bujqësisë
Lushnje: Rama me fermerët për ujitjen dhe financimin e bujqësisë

Lushnje: Rama me fermerët për ujitjen dhe financimin e bujqësisë

Në një ndërmarrje për të lidhur qeverinë me fshatin nëpërmjet bashkëbisedimit me njerëzit që jetojnë në fshatra, kryeministri Edi Rama i ka nisur takimet nga Zharra e Lushnjes. Kreu i qeverisë ka folur për bashkëpunimin me BERZH për të rritur financimin e familjeve fermere dhe si një mundësi për të rritur kreditimin në bujqësi.

“Kjo hap rrugën tuaj për të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë, por jo kredi me interesa dhe me kushte njësoj si të ishit biznese në qytet, por kredi me interesa shumë më të favorshme, të garantuara nga shteti. Kini parasysh që rezerva në dispozicion është rreth 300 milionë euro. Mundësia reale për thithje është minimalisht 50 milionë euro në vit. Që janë një shumë jo e vogël, po të kesh parasysh se me sa pak mbështetje, familja fermerë ose një komunitet familjesh mund të bëjnë diferencën e mund të hedhin një hap të rëndësishëm përpara” u shpreh Rama.

Kryeministri Rama është treguar më konkret sa i takon sistemit të ujitjes dhe kullimit.

Ne jemi të vetëdijshëm që po të flasim për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, ky është një sistem primitiv. Në fakt, në këtë zonë, me bazë Divjakën, por të shtrirë në Roskovec e në një hartë të konsiderueshme në qarkun e Fierit, ne fillojmë së shpejti një projekt transformimi të gjithë sistemit të ujitjes, në një sistem të mbuluar. Pra, jo më kanale që rrinë në anë të rrugës e hidh çfarë të duash, por siç është uji që vjen në shtëpi, do të edhe uji që vjen në parcelë, i mbuluar dhe i kontrolluar për të mos u shpërdoruar.

Kreu i qeverisë ka njoftuar ngritjen së shpejti të sporteleve unike që do t’i shërbejnë cdo familjeje fermere për të siguruar mbështetje teknike për cdo ide dhe projekt si dhe ka rikujtuar se janë në dispozicion 2 milionë euro si subvencion direkt i interesave të tyre bankare.

Kryeministri Rama ka qenë në shëtitoren “Republika” në Patos e cila i është nënshtruar rikualifikimit urban si edhe në shkollën e mesme të Patosit, “Zhani Ciko”, rikonstruksioni i së cilës ka përfunduar.