KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Maçoku Leri do të rrijë në Dauning Strit
Maçoku Leri do të rrijë në Dauning Strit

Maçoku Leri do të rrijë në Dauning Strit

Pasi të marrë detyrën e kryeministres, Tereza Mei, e cila aktualisht është ministre e brendshme, do të bëjë të ditur emërimet e reja në stafin kryeministror, çka nënkupton largimet e stafit të Kameronit. Emrat e zëvëndësuesve nuk janë akoma të sigurta, por një gjë është bërë e qartë: që maçoku i quajtur Leri, i cili u bë banor i Dauning Strit në vitin 2011, nuk do të largohet, por do të qëndrojë aty, duke kryer detyrën e tij të kryeshefit të kapjes së minjve me nder dhe dinjitet.  Maçoku Leri gëzon dashurinë e shumë njerëzve, përfshi edhe atë të presidentit amerikan Barak Obama i cili ka publikuar në internet edhe foton dëshmuese.  Aq shumë i shqetësuar ka qenë publiku britanik për fatin e Lerit këto ditë, sa emri u përmend edhe në seancën e sotme të pyetje-përgjigjeve me kryeministrin në Parlamentin Britanik. Vetë Kameroni hodhi poshtë zërat sipas të cilave ai nuk e do kryeshefin e kapjes së minjve, duke thënë: “E keni gabim. Unë e dua Lerrin, por fatkeqësisht, nuk mund ta marr me vete”. Dhe dashurinë e tij e provoi duke treguar një foto të shkëlqësisë së tij, maçokut Lerri.