KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Magjia e La Boheme rikthehet në skenën shqiptare

Magjia e La Boheme rikthehet në skenën shqiptare

La Boheme“ vënë në skenë për herë të parë në skenën torineze më 1896 është një nga operat më të njohura dhe më të dashura Puciniane. Kjo është një nga arsyet që gjithëherë ajo është në repertoret e operas edhe të skenës shqiptare. Në këtë rivënie konceptuar nga regjisori italian Andrea de Manincor, ka një rifreskim të solistëve dhe të drejtimit të orkestrës që i është besuar maestro Salvatore Percacciolo. Ndërkaq sopranoja Eva Golemi zhvesh petkat e Donikës dhe vesh ato të Mimise edhe në ndryshim luku.

“Unë jam shumë e lumtur që e luaj sërish rolin e Mimi-së, më pëlqen jashtëzanisht si rol. Ka qënë shumë i ngjeshur ktë vit kalendari për mua mbas madame Batterfly, roli i Donikës tani roli i Mimisë pastaj është traviata kështu që ku ka më bukur se të qënurit në skenë” tha sopranoja Eva Golemi.

Ndërsa Eva Golemi, Sidrit Bejleri dhe Armando Likaj janë personalitete të provuara në skenë më shumë role ndër vite, në rolin e Muzetës debuton sopranoja që shkëlqeu në rolin e Paminës në Flautin magjik, Enkeleda Kamani e cila tha se “Arien e kam kënduar edhe më përpara por është hera e parë që interpretoj Pucinin një vepër të tërë është pak e vështirë dhe e sikletshme të interpretohet në moshën time por që ndihem mirë sepse gjatë provave që kam bërë jam ndjerë mirë, e kam superuar dhe kjo për mua kjo është një hap tjetër i madh”.

Kjo është historia e dashurisë të një çifti të ri, pa para, por plotë shpresë . Mimi dhe Rodolfo, i shoqëruar nga Musetta dhe Marcello, ekzistenca e tyre është e mbushur me gëzim dhe e lyer me xhelozi, në lagjen Latine të Paris. “La Boheme” është një histori që pasqyron rininë dhe përballjen me dhimbjen; kalimi nga adoleshenca drejt pjekurisë. Grupi qejfli i miqve përballet me realitetin e ashpër për shkak të gjendjes së Mimi-së e cila vuanë nga tuberkulozi, ajo vdes në krahët e Rodolfos së saj dhe ndryshon përgjithmonë fatin e të gjithë personazheve.