KRYEFAQJA » LAJME » Majlinda Kelmendi: Dhimbjet e shpinës, asgjë serioze.
"Rio 2016", xhudistja Kelmendi fiton takimin e parë

Majlinda Kelmendi: Dhimbjet e shpinës, asgjë serioze.

Shpresa e Kosovës për medalje olimpike, Majlinda Kelmendi, ka marrë ditët e fundit një lajm të mirë. Xhudistja 24-vjeçare ka mësuar që dhimbjet e shpinës që e kanë shqetësuar për kohë të gjatë nuk janë diçka serioze dhe nuk pritet ta pengojnë atë në rrugëtimin drejt medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Në fillim të vitit të shkuar, xhudistja pejane kishte pësuar një dëmtim të gjurit e menjëherë i ishte nënshtruar një operacioni. Rikuperimi nga lëndimi në gju u mbyll me sukses në fillim të verës së kaluar, por ndërkohë asaj iu shfaqën dhimbje në shpinë. Për këtë arsye, ajo mungoi në Botërorin e vitit të kaluar, që u mbajt në muajin gusht, duke u kthyer në shtator në një garë me ngarkesë shumë më të vogël. Prej atëherë Majlinda nuk ka marrë pjesë në shumë gara. Ka vazhduar me rezultate maksimale, por telashet me shpinën nuk i janë ndarë asnjëherë. Megjithatë, mjekët tashmë kanë sqaruar se dhimbjet janë kalimtare dhe nuk do ta pengojnë Kelmendin, e cila gjatë këtij muaji do të konkurrojë Kampionat Evropian të Xhudos dhe, gjatë gushtit, në Lojërat Olimpike, që mbahen në Rio de Zhaneiro të Brazilit.