KRYEFAQJA » LAJME » Majlinda Kelmendi shpallet kampione olimpike
Majlinda Kelmendi shpallet kampione olimpike

Majlinda Kelmendi shpallet kampione olimpike

Majlinda Kelmendi e ka përligjur statusin e saj si më e mira e Evropës dhe e botës, duke e kurorëzuar dominimin e saj në këto vitet e fundit edhe me një kurorë olimpike në xhudo.

Në takimin final, që ashtu si edhe gjysmëfinalja, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ajo ka triumfuar ndaj italianes Odeta Xhufrida, duke i dhënë Kosovës medaljen e parë olimpike. Më herët, Kelmendi ishte kualifikuar për në finale, duke mposhtur në gjysmëfinale, që u soll gjithashtu drejtpërdrejt nga transmetuesi publik, japonezen Misato Nakamura. Në Lojërat Olimpike, çerekfinale, ajo ka mposhtur xhudisten Kristianë Lezhentil. Kjo e fundit e kishte eliminuar Majlindën nga Olimpiada e mëparshme, “Londër 2012”, por kampionia e botës u tregua shumë më e mirë në “Rio 2016”, duke fituar e duke siguruar kalimin në gjysmëfinale. Më herët, xhudistes kosovare i janë dashur vetëm 25 sekonda për të mposhtur kundërshtaren e parë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Ajo e ka përfunduar shumë shpejt këtë ndeshje, duke e mposhtur zviceranen Evelinë Tshop me “Ipon”. Kështu, Majlinda Kelmendi ka shkruar emrin e saj me shkronja të arta në historinë e sportist të Kosovës në veçanti dhe atij shqiptar në përgjithësi.