KRYEFAQJA » LAJME » Mali i Zi e kundërshton rishikimin e Demarkacionit

Mali i Zi e kundërshton rishikimin e Demarkacionit

Qeveria e Kosovës nuk e ka zgjidhur përfundimisht Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi as pas një viti. Edhe pse kryeministri Isa Mustafa këmbëngul se marrëveshja e arritur është në rregull dhe se vendi nuk humb territor, deri tani kanë munguar hapat e tjerë për t’i dhënë fuqinë e marrëveshjes ndërkombëtare. Edhe konsensusi i synuar nga Qeveria për Marrëveshjen e Demarkacionit duket gjithnjë e më i largët. Sipas shtypit të Kosovës, për këtë arsye Qeveria po heziton t’ia procedojë Kuvendit për ratifikim marrëveshjen, pa u siguruar se pro saj janë dy të tretat e deputetëve. Por, në bazë të deklarimeve të deritashme, duket e vështirë të arrihen mbi 80 vota të deputetëve. Edhe partneri i madh në Qeveri – PDK, gjithnjë e më shumë po e braktis versionin aktual të marrëveshjes. Partitë në pushtet shpresojnë që procesit t’i japë shtytje ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Azi, Victoria Nuland, e cila më 10 korrik viziton Kosovën.