KRYEFAQJA » LAJME » Mali i Zi, Gjukanoviç dhe aleatët fitojnë zgjedhjet
Mali i Zi, Gjukaniviç dhe aleatët fitojnë zgjedhjet

Mali i Zi, Gjukanoviç dhe aleatët fitojnë zgjedhjet

Në Mal të Zi do të vazhdojë të drejtojë Gjukanoviçi edhe pas 25 vitesh në pushtet. Partia e tij Demokratike Socialiste, me partnerët e saj kanë fituar më shumë se gjysmën e 81 mandateve në parlament. Kësaj radhe së bashku me subjektet e minoriteteve: aleancën e shqiptarëve “Forca”, Partinë Boshnjake dhe Iniciativën qytetare kroate. Ndërkohë që pritet edhe bashkëpunim me socialdemokratët. “Ju të gjithë jeni heronj, sepse nuk jeni frikësuar nga forcat që kanë bërë përpjekje të rrënojnë Malin e Zi. Ju e keni mbrojtur pavarësinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Kështu keni konfirmuar se Mali i Zi është i përhershëm”, tha Gjukanovic, pas bërjes publike të rezultateve.
Blloku më i fuqishëm opozitar, Fronti Demokratik, ka organizuar vitin e kaluar protesta disamujore. Tani ka fituar 18 mandate në parlament, ndërsa koalicioni “Çelësi” 9 mandate. Një befasi pozitive paraqesin edhe demokratët e Aleksa Beçicit, i cili është paraqitur për herë të parë në zgjedhje dhe është futur në parlament. “Kemi fituar 8 mandate – më shumë se sa është menduar”, tha Beçic.
Nëse bëhet një grumbullim i votave, mund të thuhet se Partia Demokratike Socialiste ka fituar më pak vota se e gjithë opozita. Por së bashku me partitë e minoriteteve do të ketë shumicën.
Në votime jane shënuar edhe parregullësi të shumta. Rrjeti për afirmimin e sektorit joqeveritar ka paraqitur 117 parregullësi. Ndërkohë që qytetarët kanë lajumëruar edhe 500 raste të tjera. Hijen më të rëndë në këto zgjedhje megjithatë ka hedhur arrestimi i 20 serbëve, të cilët dyshohen për krijimin e një organizate kriminale dhe terroriste. Ndër të arrestuarit është edhe Bratislav Dikic, ish-shefi i xhandarmërisë në Serbi. Ai dyshohet edhe për krime gjatë luftës së Kosovës. “Dyshohet se ata kanë planifikuar që me armë të sulmojnë institucionet e shtetit dhe policinë, me qëllim që të shpallin fitoren e disa subjekteve të caktuara politike. Dyshohet poashtu se qëllimi i tyre ka qenë arrestimi i Gjukanoviqit”, deklaroi policia.