KRYEFAQJA » LAJME » Mali i Zi, Meta pritet nga Vujanoviç
Mali i Zi, Meta pritet nga Vujanoviç

Mali i Zi, Meta pritet nga Vujanoviç

Presidenti malazez Filip Vujanoviç ka falenderuar personalisht kryeparlamentarin Ilir Meta, pasi parlamenti shqiptar ratifikoi pak ditë më parë unanimisht dokumentin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Sipas zyrës së shtypit të parlamentit shqiptar, këto falenderime zoti Vujanoviç i drejtoi gjatë takimit midis tyre në Podgoricë, pjesë e axhendës së një vizite dy ditore që zoti Meta ka filluar në Malin e Zi i shoqëruar edhe nga disa deputetë të parlamentit shqiptar.
Bashkëbiseduesit kanë pastur në vemendje marrëdhëniet mes vendeve duke vënë theksin në avancimin e tyre përmes projekteve të rëndësishme infrastrukturore ekonomike me karakter rajonal. Veçmas është përmendur projekti TAP dhe Korridori Blu, si projekt i infrastrukturës së rëndësishme rrugore nga veriu në jugun e Ballkanit.
Temë e bisedës sipas zyrës së shtypit të parlamentit shqiptar, ka qenë edhe çështja e pakicave kombëtare në të dy vendet. Kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta i shprehu vlerësime presidentit Vujanoviç për vëmëndjen që ka ndaj tyre. Ai theksoi se zgjidhjet e kërkesave të shqiptareve t’u shërbejnë komuniteteve lokale dhe forcimit demokratik të Malit të Zi. Nga ana e tij presidenti Filip Vujanoviç duke vlerësuar Shqipërinë si vend mik dhe rolin e parlamentit, foli për ruajtjen e parqeve kombëtare si pasuri e përbashkët ndërkufitare.